Nënkryetari i komunës së Novoberdës, Bajrush Ymeri, ka komentuar dorëheqjen e katër kryetarëve të komunave veriore të Kosovës por edhe çështjen me targa.
Ymeri tha se në Novoberdë s’ka tabela ilegale dhe si rrjedhojë s’ka asnjë incident ndëretnik.
“Tabelat me KM nuk ka pasur, përveç që qytetarët serbë e gëzojnë të drejtën të kenë tabela të shteteve tjera si VR, e mbuluar me stikersa”, është shprehur Ymeri në Info Magazine në Klan Kosova.
Tutje, ai tha se skenat që u panë në veri, me dorëheqje jo vetëm të kryetarëve por edhe policisë, ishin shqetësuese jo vetëm për komunitetin shqiptar por edhe atë serb, teksa shtoi se kryetari i Novoberdës, Sasha Millosheviq, që vjen nga Lista Serbe, dje ishte në vendin e punës.
“Dje filluam punën në mëngjes, pas ngjarjeve që ndodhën atje dhe mund të them se gjithçka ishte normale. Edhe kryetari ishte në vendin e punës dhe të gjithë punëtorët që punojnë në administratë. Duke biseduar me kolegë serbë, ishte shqetësuese edhe për ta por konsideroj se gjithçka ka qenë normale”, është shprehur Ymeri, njofton Klankosova.tv.
Tutje, Ymeri tha se meqë Millosheviq vjen nga Lista Serbe, ata e vizitojnë Beogradin dhe konsultohen me ta.
“Sigurisht që ka pasur presione edhe ndaj tyre, por jo të theksuara siç ka ndodhur atje për t’u dorëhequr nga pozitat e tyre. Kjo nuk ka ndodhur, ata janë në vendin e punës dhe gjithçka ka qenë normale”, është shprehur Ymeri, njofton Klankosova.tv.