Sali Berisha: Erion Veliaj, politikani i vetëm shqiptar që bënte udhëtime frekuente në Iran

E publikuar: 28/10/2022 13:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Partisë Demokratike në Shqipëri, Sali Berisha, tha se udhëtimet e kryebashkiakut të Tiranës – Erion Veliajt në Iran gjatë kohës kur ai ka qenë kryeministër, kanë qenë frekuente, por që nuk ka arritur të zbulojë lidhjet e tij me Teheranin, shkruan /a2news, transmeton Klan Kosova.

Këtë Berisha e tha në konferencë për media pasi u pyet nëse mund të fshihej Veliaj, pas publikimit të udhëtimeve të Edi Ramës.

“Ia nxori Homeland, apo Erion Veliaj, ky është problem tjetër, nuk ka rëndësi për mua. Rëndësi ka që është dokumenti i abuzimit më të madh pas djegësave të këtij njeriu në detyrë. Nuk ka skandal më të madh. Ky superskandal tregon më së miri psikologjinë antiqytetare të këtij njeriu. Udhëtimet e Erion Veliajt në Iran gjatë kohës që kam qenë kryeministër, kanë qenë frekuente sipas agjencive partnere. Se cila është lidhja e tij me Teheranin, nuk kam arritur ta zbuloj. Di që edhe Edi Rama ka bërë udhëtim, por në atë rast ka qenë një mbledhje e Internacionales Socialiste. Se çfarë dimensioni kanë lidhjet e Erion Veliajt dhe a janë biznesi, lidhje biznesi, apo lidhje të tjera, këtë nuk e di. Di që ai bënte udhëtime. Ishte politikani i vetëm shqiptar që bënte udhëtime frekuente në Teheran”, deklaroi Berisha.