Mungon i akuzuari, dështon rigjykimi për pjesëmarrje në grup kriminal ndaj shtetasit të Maqedonisë

E publikuar: 25/10/2022 15:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ka dështuar rigjykimi ndaj Minir Bardhit, të cilin Prokuroria Speciale e akuzon për pjesëmarrje në grup kriminal, të lidhur me veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”.

Arsyeja për mos mbajtjen e gjykimit ka qenë mungesa e të akuzuarit Bardhi, për të cilin gjykatësi Vesel Ismajli ka deklaruar se të njëjtit gjykata ftesën për seancë ia ka dorëzuar në mënyrë të rregullt, mirëpo nga fletëkthesa konstatohet se është shpërngulur dhe adresa e saktë nuk dihet.

Edhe në seancën e kaluar nuk ka qenë prezent i akuzuari Bardhi.

Po ashtu në seancë nuk ishte prezent as prokurori i shtetit, raporton ‘Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Ismajli, ka shtuar se seanca shtyhet për afat të pacaktuar.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 31 korrik 2017, të akuzuarin Minir Bardhi për veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”, e kishte shpallur fajtor dhe e kishte dënuar me një vit e gjashtë muaj burgim.

Gjykata e Apelit duke vendosur lidhur me ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe ankesës e mbrojtësit së të akuzuarit Bardhi, avokatit Hasan Loshi, më 10 tetor 2017, këtë çështje penale e ka kthyer në rigjykim, me arsyetimin se janë shkel dispozitat esenciale të procedurës penale.

Në këtë rast, kanë qenë të akuzuar edhe persona të tjerë, por që procedura ndaj tyre, ishte veçuar në shkallën e parë.

Prokuroria Speciale pretendon se prej 1 korrikut e deri më 23 nëntor 2013, i akuzuari Minir Bardhi së bashku me Mentor, Përparim, Gazmend, Albert, Drilon, Petrit Fazliu, si dhe Shefik dhe Fadile Iseni, kishin marrë pjesë në grup me qëllim të realizimit të veprimtarisë kriminale për import, furnizim, transport, këmbim, ndërmjetësim dhe shitje të paautorizuar të armëve.

Prokuroria pretendon se 10 të akuzuarit në mënyrë të paautorizuar kishin sjellë prej Maqedonisë në Kosovë, 153 pistoleta të tipit “Ecol Special” dhe 1500 fishekë.

Sipas aktakuzës me 21 shtator 2013, Alber Fazliu, Minir Bardhi dhe Drilon Fazliu ishin nisur në drejtim të Maqedonisë dhe qëndrojnë disa orë aty, pastaj hyjnë në Kosovë, ku i pandehuri Xhevahir Suma kalon kufirin në mënyrë ilegale dhe ia dorëzon municionin dhe armët Albert dhe Drilon Fazliut në Han të Elezit. Këta të fundit takohen me Përparim dhe Petrit Fazliun dhe gjatë rrugës, kapën nga Policia e Kosovës, në fshatin Llugagji në Lipjan, të cilët i gjejnë 72 pistoleta dhe 30 kutia me nga 50 fishekë.

Ndërsa, sipas aktakuzës, më 23 nëntor 2013, në pronat e të pandehurve Fazliu në “Kodrën e Trimave”, në Prishtinë janë gjetur edhe 81 pistoleta, të cilat armë i kishin sjellë nga Maqedonia Shefik dhe Fadile Iseni. Prokuroria pretendon se Arben dhe Gazmend Fazliu gjatë kësaj kohe kishin kontribuar duke realizuar detyra nga Albert dhe Mentor Fazliu si dhe merreshin me shitje dhe blerje të armëve dhe municionit duke vepruar si grup familjar.