Lajçak i kërkoi shtyrjen e afatit për targat, vendimi në dorën e Kurtit

E publikuar: 22/10/2022 15:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Bashkimi Europian ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që të shtyjë vendimin për çështjen e riregjistrimit të targave në RKS. Kjo kërkesë ishte e njëjtë me atë që i bëri edhe emisari amerikan, Gabriel Escobar, presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti.

Kjo kërkesë ishte edhe temë takimi e kryeministrit Kurti dhe emisarit special të BE-së, Miroslav Lajçak, i cili sot ishte mysafir në zyrën e Kurtit, për të dytën herë këtë javë, raporton Gazeta Express.

Lajçak u pyet nëse Kurti ka marrë ndonjë vendim për këtë çështje, por ai s’dha detaje, përveçse e konfirmoi se folën për të.

“E diskutuam këtë çështje dhe sigurisht është vendim i kryeministrit. Unë s’do të komentoj në këtë çështje. Nuk do të flas shumë”, tha shkurt Lajçak në përgjigje.

Lajçak ishte i paktë edhe në dhënien e informatave mbi ato që u folën në Kryeministri, por takimin me Kurtin e quajti “konstruktiv”, derisa bëri me dije se ka progres në këto bisedime të shpeshta mes tyre.