Pesëmbëdhjetë përfaqësuese të institucioneve të ndryshme nga Hani i Elezit, siç janë Policia e Kosovës, arsimi, shëndetësia etj, janë certifikuar për të marrë pjesë në panelin e Mekanizmit Referues Shumë Agjenci për të mbështetur individët e cenueshëm që janë në rrezik nga radikalizmi, raporton Ekonomia Online.
Ky projekt është mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në partneritet me Ambasadën britanike në Kosovë.
Të pranishmit thanë se në luftën kundër ekstremizmit do të jenë angazhuara të gjitha institucionet qendrore dhe lokale.
Komuna e Hanit të Elezit është komuna e parë që po e implementon mekanizmin referues, i cili duhet të merret model edhe për komunat tjera.
Alessandro Bianciardi, zëvendëskoordinatori i Bashkëpunimit të Zyrës së BE-së, tha se do të vazhdojnë mbështetjen e autoriteteve në Kosovë në luftimin e radikalizimit të dhunshëm.
“Parandalimi dhe zbulimi i hershëm janë qartësisht komponentë thelbësorë të çdo politike efektive për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm. Megjithatë, parandalimi nuk mund të sigurohet vetëm nga Policia, por kërkon përpjekjen e të gjithë komunitetit. Prandaj BE-ja është e kënaqur që ka qenë në gjendje që përmes projektit të saj të mbështesë qasjen shumë agjencish, e cila është pioniere në Hanin e Elezit dhe ne shpresojmë që do të zgjerohet edhe në pjesët tjera të Kosovës”.
“BE-ja do të vazhdojë mbështetjen e autoriteteve që të luftojmë radikalizimin e dhunshëm në Kosovë. Një sukses i afërt është që të ftojmë një koordinim të përbashkët, Qeverinë, shoqërinë civile, shkollat dhe komunitetin në përgjithësi”, tha Bianciardi.
Jennifer Blakeney nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë, tha se do të kontribuojnë që institucionet t’iu përgjigjur faktorëve ë rrezikut duke vendosur plane efektive të ndërhyrjes.
“Mekanizmi Referues është një panel mbrojtës me shumë agjenci, i cili ofron një përgjigje mbështetëse, mbrojtëse dhe parandaluese ndaj atyre që janë në kërcënim/rrezik të radikalizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm”.
“Do të ndihmojë për t’iu përgjigjur faktorëve kompleks të rrezikut dhe ndryshimeve në sjellje duke vendosur plane efektive të ndërhyrjes. Hani i Elizit është një nga komunat e para në implementimin e mekanizmit referues”, tha ajo.
Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, falënderoi të pranishmit duke thënë se përkrahja e autoriteteve komunale nuk do të mungojë.
“Si kryetar komune, synimi im është të siguroj që komunitetet të mbrohen nga të gjitha format e kërcënimeve dhe rreziqeve. Duke pilotuar këtë qasje, ne mund të sigurojmë që komunitetet tona të mund të kryejnë punët e tyre të përditshme të sigurt”, tha Ballazhi.
Ky është programi i parë i themeluar për Parandalimin/Luftimin e Ekstremizmit të Dhunshëm (P-LEDH) në Kosovë me fokus në aranzhimet mbrojtëse të shumë agjencive për të ofruar përgjigje mbështetëse, mbrojtëse dhe parandaluese ndaj atyre në kërcënim/rrezik nga radikalizimi dhe ekstremizmi i dhunshëm. Modeli i zbatuar bazohet në qasjen dhe proceset bashkëpunuese dhe parandaluese ‘Kanali’ të Mbretërisë së Bashkuar/UK Prevent ‘Channel’.
Mbështetja dhe mentorimi nga Projekti do të jenë të vazhdueshme për të siguruar suksesin e tij. Pas këtij pilot projekti dhe vlerësimit të tij, të njëjtat procese do të përsëriten/zgjerohen në të gjitha komunat e Kosovës, raporton EO.
Që nga viti 2019, BE-ja ka investuar 3.9 milionë euro në mbështetje të procesit të reformës së Policisë së Kosovës. Objektivi kryesor i këtij projekti është të ndihmojë Policinë e Kosovës në procesin e saj të reformave për t’u bërë një shërbim policor efektiv dhe publikisht i përgjegjshëm që respekton të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit, që vepron sipas standardeve dhe praktikave ndërkombëtare dhe korr sukses të konsiderueshëm në luftimin e të gjitha llojeve të krimit dhe garanton sigurinë publike.
Në fund, u tha se BE-ja do të vazhdojë të ndihmojë policinë e Kosovës dhe ministrinë përkatëse për të harmonizuar kapacitetet dhe legjislacionin e saj me legjislacionin dhe standardet e unionit.