Kryeministri Albin Kurti pas takimit me të dërguarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar tha se Kosova e gatshme për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme me njohjen reciproke në qendër, raporton Ekonomia Online.
Kurti shtoi se Republika e Kosovës është treguar se është palë konstruktive në procesin e dialogut me Serbinë.
“Vizita e dytë brenda dy dite e përfaqësuesve të SHBA-së. Me ambasadorin amerikan takohemi rregullisht, ndërsa në fillim të javës së shkuar pata një bisedë shumë të mirë telefonike me sekretarin e shtetit, Antony Blinken”.
“Me zotin Escobar folëm për rëndësinë dhe peshën e raporteve tona dypalëshe, partneritetin ndërmjet dy vendeve tona, progresin dhe reformat në Kosovë, ballafaqimin e krizës energjetike dhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, procesin e dialogut dhe rrugën përpara”, tha Kurti.
Ai u shpreh se gjithmonë mirëpresin interesimin dhe angazhimin e Shteteve të Bashkuara në këtë proces.
“Jemi të gatshëm dhe të përkushtuar për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme për normalizim të plotë të marrëdhënieve, me njohjen reciproke në qendër. Me ShBA-të jemi aleatë në vlerë dhe partnerë në qëllime”.