FSK fiton medalje në Britani, në garë me 107 ushtri ndërkombëtare

E publikuar: 17/10/2022 11:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në mesin e 107 ekipeve të ushtrive ndërkombëtare, Forca e Sigurisë së Kosovës ka fituar medaljen e argjendtë për performancë në garën ushtarake “Cambrian Patrol “22”.

Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate për media nga MPB-ja, ku theksohet se FSK-ja çdo ditë e më shumë po tregon nivel të lartë të përgatitjes profesionale.

“Forca e Sigurisë së Kosovës çdo ditë e më shumë po tregon nivel të lartë të përgatitjes profesionale përmes sukseseve që po arrinë në gara të ndryshme ndërkombëtare. Së fundmi, ekipi i Forcës së Sigurisë së Kosovës arriti të marrë medaljen e argjendtë në njërën prej garave ushtarake më prestigjioze në botë “Cambrian Patrol ‘22” që u zhvillua në Britani të Madhe. Në këtë garë pjesëtarët e FSK-së treguan performancë të jashtëzakonshme gjatë stërvitjes 48 orësh në Malet e Zeza të Uellsit, së bashku me 80 ekipe britanike dhe 27 ekipe të shteteve tjera ndërkombëtare”, thuhet në komunikatë.

Tutje thuhet se performanca e FSK-së është vlerësuar lartë edhe nga këshilltari i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, nënkolonel John Hunter, “si demonstrim i qartë i përkushtimit dhe standardeve të larta që FSK ka përmbushur”.