Propozimi i Abazit: Lajçakut t’i ndalohet që të flasë për liberalizimin e vizave

E publikuar: 13/10/2022 23:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti i Vetëvendosjes, Haki Abazi ka thënë se emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak duhet t’i ndalohet që të flasë për liberalizimin e vizave.

Abazi në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, tha se Lajçakut t’i ndalohet të flasë për liberalizim të vizave, madje edhe për të mirë.

“Pikërisht tani është momenti që të kërkohet e të refuzohet plotësisht. Mendoj që Lajçakut duhet t’i ndalohet të flasë për liberalizim të vizave, qoftë edhe për të mirë, sepse asnjë gjë në mandatin e tij nuk bie e nuk do të duhej të bie në fushën e të drejtës së kosovarëve për lëvizje të lirë”, deklaroi ai.

Sipas tij, agjenda integruese e integrimit evropian e Kosovës edhe në NATO duhet të shkëputet plotësisht nga dialogu

“Po ashtu, duhet të insistojmë që agjenda integruese e integrimit evropian e Kosovës edhe në NATO të shkëputet plotësisht nga dialogu dhe të vazhdojmë me dinamikën të cilën Kosova duhet t’i garantojë vetës dhe Evropa të garantojë Kosovës mundësinë që të mbyll të gjitha hapësirat e rreziqeve si rezultat i këtij ambiguiteti në të cilën është vendosur Kosova më shumë se një dekadë”, tha ai.