Aliu: Mbi 75% e ndërtimeve janë pa leje

E publikuar: 12/10/2022 13:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu ka thënë se mbi 75% e ndërtimeve në Kosovë janë pa leje, gjë që ndikon në zhvillimin ekonomik dhe planifikimin hapësinor të vendit.

Aliu në një konferencë për medie pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës ka thënë se aprovimi i projektligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje është i rëndësishëm sepse lidhet me zhvillimin ekonomik dhe planifikimin hapësinor në Kosovë.

Aliu ka thënë se në Kosovë mbi 3/4 e ndërtimeve janë pa leje, gjë që ka ndikuar në fushën e planifikimit në vend.

“Në Kosovë në regjistrimet e ndërtimeve pa leje figurojnë 352 mijë e 836. 75% të ndërtimeve ekzistuese janë pa leje, kjo ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik”, ka deklaruar ai.

Ai ka thënë se me anë të këtij projektligji të miratuar të mërkurën mundësohet që të gjitha këto ndërtime të legalizohen.

“Thjeshtësimi i madh i procedurave që ka sjell ky ligj, po përpiqemi edhe për metoda lehtësuese tek ndërtimet kolektive”, ka vijuar ai.

Ndërsa i pyetur se pse nuk ka vepruar inspektorati në aksionin e konfiskimit të vilave në Brezovicë, ai ka thënë se ndërtimet janë të natyrave të ndryshme.

“Përpos ndërtimeve janë hidrocentralet, prerja e pyjeve. Kur flasim për Brezovicën ka një dallim esencial mes pjesës se Brezovicës dhe pjesëve tjera”, ka thënë ai.

Gjersa ka shtuar se dualizmi i kompetencave me komunat ka qenë shkaktari kryesor për këtë problem./EO