Xhemail Shala, Sadik Shala, Alban Gashi dhe Iskender Sale, të akuzuar në rastin e 113 kg heroinë, janë shpallur fajtorë nga Gjykata e Prishtinës.
Xhemajl Shalën dhe Iskender Salen, gjykata i ka gjetur fajtorë secilin veç e veç për veprën penale legalizim i përmbajtjes së rreme.
Gjykata i ka shqiptuar Xhemajl Shalës dënim me burgim me kohëzgjatje prej 9 vite (dënim unik) dhe 25 mijë euro dënim me gjobë. Ndërsa Sadik Shalës gjykata i ka shqiptuar 7 vite dënim me burgim si dhe dënim me gjobë prej 15 mijë euro. Kurse Iskender Sale është dënuar me 9 vite dënim me burgim (dënim unik) si dhe dënimin me gjobë prej 25 mijë euro.
Gjithashtu gjyakta ka gjetur fajtor Alban Gashin dhe të njëjtit i ka shqiptuar 1 vit dënim me burgim për veprën penale dhënia e ndihmës në kryerjen e veprës penale, legalizim i përmbajtjes së rreme, ndërsa është liruar nga akuza për veprën penale falsifikim i dokumenteve.
Tutje gjykata ka urdhëruar dënimin plotësues për konfiskimin e mjeteve të përdorura në kryerjen e këtyre veprave penale si dhe shkatërrimin e lëndës narkotike të llojit heroinëKujtojmë se sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, Xhemail Shala, Sadik Shala dhe Iskender Sale, akuzoheshin se duke vepruar si grup kriminal i organizuar dhe i strukturuar së bashku me persona të tjerë që gjendeshin në territorin e disa shteteve si: Irani, Shqipëria e Kosova, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, kanë shitur dhe transportuar 113 kg substancë narkotike të llojit heroinë.
Drogën fillimisht e kanë blerë në Irani dhe pastaj kanë arritur që me maune të mbushura me pllaka të mermerit t’i transportojnë për në Shqipëri dhe Kosovë.
Xhemajl Shala dhe Iskender Sale akuzohen edhe për veprën penale – legalizim i përmbajtjes së rreme, kjo për arsye se pasi të njëjtëve u janë publikuar emrat e tyre si të dyshuar për trafikim me narkotikë, dhe se kanë paraqitur fakte të rreme në qendrat e regjistrimit në Prishtinë e Obiliq, me qëllim të ndërrimit të identitetit të tyre.
Ndërsa, Alban Gashi akuzohet nga Prokuroria se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror u ka ndihmuar të akuzuarve të lartcekur në shmangjen, zbulimin dhe arrestimin e tyre, duke u bërë të mundur pajisjen me dokumente të rreme të identifikimit dhe me këtë ka kryer veprat penale – dhënia e ndihmës pas kryerjes së veprës penale dhe falsifikim i dokumentit.
Kurse Labinot Zenelaj akuzohej për veprën penale – mashtrim, kjo ngase sipas prokurorisë me paraqitjen e fakteve të rreme e ka mashtruar drejtorinë e auto-sallonit “Alberti”, kur e ka kuptuar se kishte vdekur një anëtar i këtij grupi, dhe ai kishte përfituar një veturë nga ai në atë mënyrë që kishte kërkuar çelësat e kësaj veture nga pronari i auto-sallonit që ia kishte shitur të njëjtën tani të ndjerit.
I njëjti në mars të vitit 2021 ishte dënuar më 1 vit dënim me burgim me kusht dhe me 5 miijë euro dënim me gjobë, për veprën penale të mashtrimit.