Analisti nga Shqipëria Mero Baze, ka hedhur akuza të rënda ndaj presidentes së Kosovës Vjosa Osmani.
Sipas Bazes, urrejtja e saj ndaj Shqipërisë u vërejt qartë në fjalimin që kryeministri Edi Rama pati në OKB ditë më parë. Sipas Bazes ajo që e ka përjetuar më keq fjalimin e kryeministrit të Shqipërisë në sallën e OKB, nuk ishte Serbia, por Vjosa Osmani.
“E ka përjetuar personalisht, si një urrejtëse e Edi Ramës dhe Shqipërisë, e ka përjetuar si një e ftuar e papërfillur e Asamblesë dhe mbi të gjitha, si një fjalim që ajo nuk di as ta lexojë, dhe jo më ta shkruajë”, ka shkruar analizti Baze në një opinion të tij.
Sipas tij, duket qartë se ajo (Vjosa Osmani) nuk e duron dot Shqipërinë as kur e mbron Kosovën.
“Dhe për të justifikuar sikletin e saj në sallë, kur vendin e saj e mbronte kryeministri i Shqipërisë, ndërsa ajo i kërkonte foto presidentit të SHBA me Dua Lipën, shpërtheu tek Zëri i Amerikës, duke akuzuar Edi Ramën se “po ja shpëton fytyrën Serbisë””.
Por, sipas Mero Bazes, shpërthimi i Vjosa Osmanit kundër tij, është i justifikueshëm.
“Duhet të hyni nën lëkurën e saj dhe ta justifikoni atë që ka bërë. Përfytyroni presidenten e një vendi të vogël si Kosova, që ftohet në Asamblenë e OKB, dhe aty fjalimi më popullor për vendin e saj mbahet nga kryeministri i Shqipërisë”.
“Përfytyroni frustrimin e një femre si ajo, që edhe një herë që ka pas shansin të vihej në qendër të vëmendjes, jo për shkak të kaçurrelave, por për shkak të vendit të saj, ajo ishte e egërsuar me atë që mbronte vendin e saj”, shkruan Baze.
Sipas analistit, armiku më i madh i saj në atë sallë ka qenë vërtet Edi Rama.
“Ai e bëri të paqenë praninë e saj në OKB, lidhur me Kosovën. Ai e bëri të ndjehet keq, që Shqipëria që ajo urren, po mbronte Kosovën. Dhe mbi të gjitha, e bëri këtë për të mbrojtur armiqtë e saj politik, për të cilët ajo ndjehet mirë që janë në burg. Më keq se kaq, Vjosa Osmanit nuk i ka bërë kurrë askush. As Serbia, që bën sikur e ka armike”.