Kim vazhdon takimet lidhur me shqetësimin e ShBA-së për influencën ruse

E publikuar: 27/09/2022 18:34
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, sot gjatë ditës është takuar me kryetaren e Komisionit të Integrimit, Jorida Tabaku, dhe nënkryetaren e këtij komisioni, Etilda Gjoni, në kryesinë e Kuvendit të Shqipërisë.

Kim, disa ditë më parë, në takime të ndara, bisedoi edhe me kreun e grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, si edhe kreun zyrtar të grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj.

Influenca ruse në veprimtarinë e partive politike, reforma e re territoriale apo edhe amendamentimet në Ligjin për Reformën në Drejtësi mendohet të kenë qenë në fokus të bisedës së zhvilluar mes ambasadores amerikane dhe krerëve të grupeve parlamentare.

Takimi në kryesinë e kuvendit ndodhi një ditë pas takimeve që ambasadorja amerikane zhvilloi me kreun e KQZ-së, Ilirjan Celibashi, e më pas edhe me praninë e përfaqësuesve të partive politike parlamentare, ku shprehu shqetësimin e SHBA-së për influencën ruse në veprimtarinë e partive politike në Shqipëri./TCh