Avokati Popullit i kërkon SBASHK-ut dhe Qeverisë që të reflektojnë për grevën

E publikuar: 18/09/2022 20:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Avokati i Popullit u ka bërë sot thirrje Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës dhe Qeverisë të reflektojnë dhe të gjejnë një zgjidhje për ndërprerjen e grevës në arsim.

Sipas një njoftimi Avokati Popullit thotë se sot ka pranuar përgjigje nga qeveria me qëndrimin se janë të gatshëm të bisedojnë për çështjet e prekura nga Avokati ndërsa janë në pritje të përgjigjes nga sindikatat.

Për më tepër, Avokati i Popullit konstaton se në situatën e krijuar e drejta për arsim si e drejtë kushtetuese nuk është duke u respektuar, se fëmijëve po iu cenohet kjo e drejtë dhe janë duke u privuar nga e drejta për edukim dhe arsimim, e kjo do të ketë pasoja të rënda për fëmijët dhe për vendin.

Ndryshe, Avokati i Popullit ka mbajtur takime të ndara me përfaqësues të Sindikatave dhe Qeverisë në përpjekje për të ndihmuar në daljen nga kjo situatë, por nuk është arritur marrëveshje mes palëve.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka rikujtuar palët se çdo qëndrim apo veprim duhet të ketë për prioritet interesin më të mirë të fëmijës dhe të drejtën e tyre për edukim dhe arsimim, si e drejtë e garantuar me Kushtetutë.

“Parimi i interesit më të mirë për fëmijët duhet ta udhëheqë secilin prej nesh në kuadër të përmbushjes së detyrimeve dhe të përgjegjësive që kemi”, ka thënë ai.

Ndryshe, SBASHK-u ka nisur grevën në arsim më 25 gusht me kërkesën për 100 euro shtesë deri në hyrjen në fuqi të ligjit të pagave, njofton Avokati i Popullit përcjell Klankosova.tv