Gërvalla: Qëndrimin tim për UÇK-në e kam dëshmuar që në vitin 1998-1999

E publikuar: 13/09/2022 23:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Donika Gervalla-UÇK

Donika Gervalla-UÇK

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, deklaroi se qëndrimin e saj për UÇK-në e ka dëshmuar që në vitin 1998-1999 dhe se rrallë gjendet një person me emër dhe mbiemër i cili kaq fort ka luftuar tendencat për ta kategorizuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si organizatë terroriste.

“Ka dëshmitarë të panumërt te partnerët tanë ndërkombëtarë. Unë jo një herë, por në mënyrë të përsëritur, aty ku e kërkon nevoja, e kam përsëritur qëndrimin tim”.

“Ushtari dhe ushtarja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë e personifikon për mua atë sakrificën më sublime. Nuk ke çfarë të bësh më tepër se sa të vësh jetën tënde në dispozicion për lirinë e vendit tënd. Nuk mund të bësh më tepër dhe pastaj është vetëm çështje fati se a e mbijeton apo jo ti atë”, u shpreh ministrja Gërvalla.

Në Rubikon të Klan Kosovës, ajo e pohoi se ka qenë shumë e zëshme ndaj, siç tha, tendencave për ta përvetësuar trashëgiminë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për qëllime të tjera, për të cilat ajo thotë se në rrethana të sotme si ministre e Punëve të Jashtme dhe me një gjendje jo të këndshme për disa përfaqësues, nuk do të donte ta tematizonte përsëri.

“Respekti im për sakrificën sublime të shkuarjes në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës është kaq i lartë sa unë asnjëherë nuk do ta shfrytëzoj atë sakrificë sublime për ta bërë veten më të pranueshme në publik”.

Gërvalla vlerësoi se ka pasur struktura, të cilat përmes akuzave ndaj saj që lidhen me UÇK-në, kanë tentuar që kësaj qeverie t’ia shkurtojnë jetën.