Liderët e Ballkanit bëhen bashkë në Berlin

E publikuar: 11/09/2022 18:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Samiti i radhës i Procesit të Berlinit do të mbahet më 3 nëntor në Berlin, për herë të parë nën udhëheqjen e kancelarit të ri gjerman, Olaf Scholz. Ai dhe liderët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor pritet të diskutojnë për tregun e përbashkët rajonal dhe operacionalizimin e tij. Mbajtja e këtij samiti, nga njohësit e integrimeve evropiane shihet edhe si vëmendje politike e Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, shkruan Kanal10.

Kancelari gjerman Olaf Scholz do t’i presë më 3 nëntor në Berlinë, liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në përpjekje për të dinamizuar procesin e Berlinit.

Zyrtarë të qeverisë gjermane kanë refuzuar të japin detaje rreth temave që pritet të hidhen në diskutim.

Mbajtjen e samitit e kanë mirëpritur nga Qeveria e Kosovës, shkruan Kanal10.

Jeton Zulfaj, këshilltar politik i kryeministrit Albin Kurti, ka deklaruar se ekzekutivi është i interesuar për krijimin e tregut të përbashkët rajonal në Ballkanin Perëndimor, ku i jepet incentivë lirisë së lëvizjes së qytetarëve, kapitalit, mallrave dhe shërbimeve.

“Ne jemi shumë të interesuar që të arrijmë marrëveshje rajonale mbi këto bilaterale, ku krijojnë një treg të përbashkët me 17 milionë banorë në Ballkanin Perëndimor, ku jepet incentivë lirisë së lëvizjes qytetarëve, studentëve dhe bizneseve. Kështu të rritet potenciali jonë të përbashkët, por çdoherë duke respektuar vlerat, standardet dhe rregullat e Bashkimit Evropian”.

Nga ana tjetër, drejtori i Institutit EPIK, Demush Shasha, thotë se samiti i 3 nëntorit do të jetë një kontribut për të shtyrë përpara marrëveshjet që kontribuojnë në krijimin e tregut të përbashkët rajonal.

“Takimi i 3 nëntorit ka dy qëllime. Qëllimi i parë është që të shërbejë si shembull i radhës i vëmendjes politike të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor. Qëllimi i dytë është më praktik, të kthehet vëmendja tek krijimi apo operacionalizimi i tregut të përbashkët rajonal. Ka qenë një kohë, janë negociuar një numër marrëveshjes të cilat do të lejojnë ngritjen e operacionialiizmit të katër lirive themelore të Bashkimit Evropian në rajon, por ato kanë ngecur”.

Samiti i fundit i Procesit të Berlinit u mbajt më 5 korrik të vitit 2021, nën udhëheqjen e ish-kancelares gjermane, Angela Merkel.

Procesi i Berlinit është një iniciativë që synon rritjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe në asistimin e tyre në procesin e integrimit në BE, proces ky i filluar në 2014, nga kancelarja gjermane, Angela Merkel.