Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit” (IHÇK) për muajin gusht 2022, viti bazë 2015=100.
Inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte 0.2% në muajin gusht 2022.
Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 0.2% në muajin gusht 2022, krahasuar me muajin korrik 2022. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (6.3%); qumësht, djathë dhe vezë (3.6%); mallra dhe shërbime për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (2.3%); mish (1.7%); bukë dhe drithëra (0.6%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.6 për qind në IHÇK.
Ndërsa, rënie e çmimeve vërehet te nëngrupet e COICOP-it: karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal (-6.1%), me një ndikim prej (-0.4 për qind) në IHÇK-it.
Ndërkaq, norma vjetore e inflacionit e matur në muajin gusht 2022, me muajin gusht 2021 ishte 13.0%.
Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 13.0% në muajin gusht 2022, krahasuar me muajin gusht 2021. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te nëngrupet e COICOP-it: vajra dhe yndyra ushqimore (52.1%); lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (48.6%); bukë dhe drithëra (32.4%); karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal (32.0%); qumësht, djathë dhe vezë (26.2%); gaz (26.1%); mish (22.5%); sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira (19.7%); shërbime për transport (17.9%); kafe, çaj dhe kakao (17.6%); prodhime të ndryshme ushqimore, salca, erëza, kripë, ushqim për fëmijë etj. (15.7%); shërbime hoteliere (14.9%); mallra dhe shërbime për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (14.3%); mirëmbajtje dhe rregullim i vendbanimit (12.2%); vegla dhe pajisje për shtëpi dhe kopsht (11.3%); kujdes personal (8.9%); pushime të organizuara (7.9%); ujë mineral, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet (7.3%); gjëra dhe pajisje të tjera rekreative, kopshte dhe manare (6.8%); pjesë këmbimi dhe pajisje shtesë për pajisjet e transportit personal (6.2%); gjëra personale (5.9%); pajisje shtëpiake (5.4%); blerje e automjeteve (5.3%); duhan (5.3%); pije alkoolike (5.2%); produkte farmaceutike (4.6%); qelqurina, takëme dhe mjetet e kuzhinës (4.2%); mobilie dhe orendi, qilima dhe mbulesa të tjera dyshemeje (3.8%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 13.3 për qind në IHÇK.
Ndërsa, rënie e çmimeve vërehet te nëngrupet i COICOP-it: pemë (-8.2%); perime (-1.2%); veshje (-0.7%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-0.3 për qind) në IHÇK.