Natyra Kuçi, anëtare e Kryesisë dhe zëdhënëse e PSD-së, ka kërkuar që ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi, t’ia fillojë punës në ministrinë që udhëheq, pasi nuk po vërehet, ose të dorëhiqet.
“Sistemi shëndetësor është një ndër arsyet kryesore për ikjet nga Kosova, qofshin doktorë, infermierë apo vetëm qytetarë. Ministri Latifi të fillojë punën ose të dorëhiqet, sepse kjo është më e shëndosha për sistemin shëndetësor dhe vendin tonë. #ëanted”, ka shkruar Kuçi, në Facebook.
Postimi i plotë:
MINISTRI I HUMBUR
Qeveria e shpresës, jo e shëndetësisë, më shumë ka treguar angazhim për kapjen e sindikatës së shëndetësisë, se në përzgjedhjet e ministrit të shëndetësisë.
Nga kjo qeveri kemi parë dy ministra të shëndetësisë. I pari, Arben Vitia, doktor hipokriti, që u bë ministër për të u bë kryetar komune dhe i dyti, Rifat Latifi, ministri i humbur, që zgjidhjen dhe përmirësimin e sistemit shëndetësor e sheh tek liberalizimi i vizave dhe udhëtimet me aeroplan.
Gjendja në QKUK dhe sektori shëndetësor ka nevojë për një ministër me prezencë dhe përkushtim, jo për ministra që rezultat të vetëm kanë përditësimin e rasteve me COVID.
Pacientët nuk i shërojnë vargjet propagandistike të ndryshimit dhe as punëtorët e sektorit shëndetësor nuk ndihen të vlerësuar. Fjalë boshe nuk i përmirësojnë kushtet në spitale dhe as nuk i zëvendësojnë barnat esenciale që mungojnë.
Sistemi shëndetësor është një ndër arsyet kryesore për ikjet nga Kosova, qofshin doktorë, infermierë apo vetëm qytetarë.
Ministri Latifi të fillojë punën ose të dorëhiqet, sepse kjo është më e shëndosha për sistemin shëndetësor dhe vendin tonë.