Vuçiq: Njohja e Kosovës nga Izraeli na lëndoi, lajmet për sulme janë të rreme

E publikuar: 08/09/2022 15:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka folur për njohjen e Kosovës nga Izraeli.

Ai tha se Serbia u lëndua nga kjo njohje, teksa tha se izraelitët do t’i konsiderojë gjithmonë si miq të serbëve.

“Po, njohja e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli na ka lënduar shumë. Por ne bëmë të pamundurën për ta kapërcyer atë situatë. Dhe shpresoj se do të jemi në gjendje të rindërtojmë marrëdhëniet tona me mirëbesim dhe se do të jemi në gjendje të krijojmë besim të vërtetë midis dy kombeve tona”, është shprehur Vuçiq për The Jerusalem Post.

Tutje, ai tha se ka një kampanjë ndërkombëtare kundër tij dhe Serbisë, teksa shtoi se lajmet për një sulm të mundshëm të Serbisë ndaj Kosovës janë të pavërteta.

“Thjeshtë bëjeni një kërkim në Google, dhe ju do të shihni se në së paku gjashtë muajt e fundit ata po thonin se Serbia do ta sulmojë territorin e një vendi fqinj. Por, faktikisht një gjë e tillë s’ka ndodhur. A ka kërkuar dikush falje për këto fabrikime? Jo. Është një fushatë e pafund dhe e vazhdueshme kundër këtij vendi me të njëjtin model ose të njëjtën qasje si 10, 20 apo 30 vjet më parë”, është shprehur Vuçiq, transmeton Klankosova.tv.