Liz Truss
Liz Truss është zyrtarisht kryeministre e mbretërisë së bashkuar, ashtu siç e kërkojnë rregullat ajo mori detyrën pas një takimi me mbretëreshën, e cila më parë kishte pritur Boris Johnson që t’i dorëzonte dorëheqjen.
Kryeministrja u fotografua duke takuar monarken e buzëqeshur në Balmoral ndërsa iu transferua pushteti – një proces i njohur si ‘puthja e duarve’.
Takimet u bënë të dyja në pallatin Balmoral, dhe jo Backingam për të mos e munduar fizikisht mbretëreshën, e cila insistoi ta çonte një nga detyrat e saj më të rëndësishme deri në fund.
Liz Truss u bë sot kryeministrja e 15-të e Mbretëreshës.
Truss do t’i drejtohet kombit në Downing Street dhe pritet të fillojë të emërojë kabinetin e saj. Truss fitoi garën në Partinë Konservatore të hënën, duke mposhtur rivalin e saj Rishi Sunak, pas një fushate që zgjati gjatë gjithë verës.
Ajo nuk u zgjodh nga publiku britanik, por falë votave të 81,326 anëtarëve konservatorë. Tani ajo duhet të marrë drejtimin e një prej ekonomive më të mëdha në botë, në një kohë kur një krizë e kostos së jetesës është çështja e ditës për të gjitha familjet britanike.
Faturat po rriten dhe Truss do të jetë nën presion që nga dita e parë për të njoftuar se si planifikon të ndihmojë.
Ndërsa miku i saj, ish kryeministri Johnson në fjalimin e tij të lamtumirës shkaktoi jo pak reagime kur e krahasoi veten me një ‘raketë ‘ që e kishte përmbushur misionin e saj. Ai tha se Truss do të ketë gjithë mbështetjen e nevojshme prej tij.
/TCh/