Presidentja e vendit, Vjosa Osmani tha se Policia e Kosovës është hallkë e rëndësishme dhe histori suksesi e vendit, raporton Ekonomia Online.
Osmani në ceremoninë e shënimit të 23-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës, ka uruar të gjithë pjesëtarët e saj.
Sipas saj, Policia është kujdesur që kufijtë të mbrohen e mbikëqyren, duke shtuar se anëtarësimi në Interpol është shumë i rëndësishëm.
“Po e shënojmë 23-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës, njërën nga shtyllat më të rëndësishme të shtetit tonë, një shtyllë që ka luajtur rol të jashtëzakonshëm në konsolidimin e shtetësisë së Republikës së Kosovës. U jam thellësisht mirënjohëse për përkushtimin tuaj të treguar gjatë viteve të kaluara”.
“Policia e shtetit tonë me të gjitha segmentet e saj, përbëjnë jo vetëm njërën nga hallkat më të rëndësishme të shtetit, por edhe njërën nga historitë më të suksesshme se si mund të themelojmë e të ngrisim institucione të qëndrueshme, besueshmëria e së cilave ka qenë vazhdimisht e lartë në mesin e qytetarëve tanë”.
“Kujtojmë policët që kanë rënë në detyrë si Enver Zymberi. Policia është kujdesur që kufijtë të mbrohen e mbikëqyren. Ne bëhemi faktor për ruajtjen e sigurisë ndërkombëtarë. Anëtarësimi në Interpol është shumë i rëndësishëm”