Kryeministri Albin Kurti po vazhdon ta zhvillojë një betejë të ashpër kundër Rrahman Jasharajt, kryetarit të SBASHK’ut, i cili po i udhëheq mësimdhënësit në grevë, në përpjekje për t’ua rritur pagat. Shefi i qeverisë duke dashur të zmbrapsë grevistët dhe t’i bindë ata që ta fillojnë mësimin, ka jetësuar kërcënimin për ndalje të pagave. Nga mosekzekutimi i tyre e kanë pësuar 45 mijë të punësuar në sektorin publik, kategori punëtorësh që s’kanë lidhje me grevën, siç janë mjekët, të cilët edhe protestuan, shërbyes civilë tjerë. Madje, ka raste që nuk janë paguar as gra që janë në pushim të lehonisë.
Mijëra punëtorë në Kosovë që i mbajnë familjet e tyre me rrogë të shtetit nuk i kanë parë paratë në bankomate në fund të muajit gusht, pasi Kryeministri Kurti dhe Ministri i Financave Hekuran Murati, nuk i procesuan duke dashur ta shtypin grevën.
Ata kërkuan lista të pagave nga komunat me qëllimin që t’i lënë jashtë pagesave grevistët. Kur disa komuna refuzuan t’i çojnë ato, Ministria e Financave procesoi vetëm gjysmën e pagesave për të punësuarit në punë të shtetit.
Kreu i PDK’së Memli Krasniqi, cili sot priti Rrahman Jasharin në takim, bëri të ditur se shifrën e atyre që s’kanë marrë paga.
Ai tha se bëhet fjalë për 45 mijë persona.
“Mosekzekutimi i pagave është vepër penale, është shkelje ligjore. Sot Qeveria e Albin Kurtit me ministrin Hekuran Murati i kanë privuar rreth 45 mijë familje prej pagave të tyre”, ka thënë Krasniqi.
Tashmë dihet se një pjesë e mjekëve nuk janë paguar për muajin gusht dhe ata kanë protestuar sot.
Kryesia e Shoqatës Sindikale te QKMF-Prishtine ka njoftuar për protestë 15 minutëshe para QKMF’së Prishtine nga ora 09:30-09-45 si shenjë revolte për mos ekzekutimin e pagave te punëtorëve shëndetësor.
Por, nuk janë vetëm mjekët atë që e kanë pësuar. Nga mospagesa janë prekur edhe punëtorë tjerë të shtetit.
Madje edhe gra të punësuara në sektorin publik që janë në pushim të lehonisë e që nuk kanë asnjë lidhje me grevën.
Qeveria e Kurtit ndalesën e ka bazuar në një opinion të Zyrës Ligjore e Ministrisë së Financave.
Në një opinion ligjor të nxjerrë më 29 gusht, Zyra Ligjore e Ministrisë së Financave doli në përfundim se zbritja e pagës së grevistëve “përbën kufizim të lejuar me ligj”.
Kundër Kurtit përveç opozitës ka dalë edhe Asociacioni I Komunave të Kosovës cilët kanë mbajtur takim dje. Ata kanë treguar më në detaje kush nuk është paguar për muajin gusht. “Shqetësim ishte edhe pagesa parciale e pagave ndaj shërbyesve civilë. Duhet theksuar që në nivelin lokal, pagë nuk kanë pranuar as kryetarët e Komunave, as nënkryetarët, as drejtorët komunal e as zyrtarët tjerët komunal. Pagë nuk kanë pranuar as punonjësit e Qendrave për Punës Sociale e kështu më radhë” ka thënë Kryetari i Asociacionit Sazan Ibrahimi.
Ai madje ka thënë se kryetarët i kanë bërë thirrje Qeverisë që t’i procedojë pagat deri më 5 shtator përndryshe do të shohim për veprimet e mundshme ligjore
“Ky dallim në paga po ndodh për herë të parë në Kosovën e pasluftës. Kryetarët kanë bërë thirrje që deri më 5 shtator, pagat të dalin, përndryshe kryetarët e Komunave janë zotuar që do të mbajmë edhe një takim dhe”, tha Ibrahimi.
“Ka presion të jashtëzakonshëm nga niveli qendror ndaj nivelit lokal sa i përket listave të grevistëve. Komunat janë në grevë, Listat e pagave për muajin gusht janë dorëzuar deri më 10 gusht, listat për muajin shtator do të dorëzohen më 10 shtator, nëse ka kush t’i dorëzojë sepse administrata është në grevë, dhe për këtë arsye kontratat janë të nënshkruara se institucioni përgjegjës për dhënien e pagës, është komuna dhe është e obliguar që deri më 5 të çdo muaji t’ia paguajë pagën punëtorit dhe nëse kjo nuk ndodh, ka mundësi që të ndërmerren hapa të tjerë ligjore. Ka pas propozime të ndryshme, mirëpo dakordimi është se cila do të jetë veprimi i Qeverisë sepse ne mendojmë se Qeveria e ka barrën kryesore për zgjidhjen e këtij problemi dhe po shpresojmë që gjatë këtyre ditëve do të ketë hapa pozitiv sa i përket zgjidhjes së këtij problemi”, ka shtuar Kreu i Asociacionit të Komunave. Ndryshe, njerëz të kryeministrit kanë provuar ta diskreditojnë kreun e SBASHK’ut duke e njollosur si bashkëpunëtor të Serbisë.