Një numër i madh vendesh përballen ende me një shkallë të lartë infeksionesh të COVID-19 pas lehtësimit apo heqjes së masave kundër epidemisë, duke përfshirë karantinën, testet e COVID-19 etj., megjithëse numri global i rasteve të infektimit ka pasur një rënie graduale që nga korriku.
Që prej marsit, shumë vende i kanë lehtësuar kufizimet lidhur me COVID-19, pasi u gjykua se varianti “Omicron” e kishte kaluar kulmin e vet.
Në mjaft vende janë hequr disa masa parandaluese, duke lejuar grumbullimin e turmave në mjedise të brendshme publike, uljen ngjitur në kinema, mosmbajtjen e maskave në vende publike etj.
Megjithëse jeta duket se është rikthyer në normalitet, përhapja e epidemisë nuk ka ndalur. Në nivel global, ka rreth 5 deri 7 milionë raste të reja infektimi dhe mbi 10 000 vdekje në javë nga COVID-19 që nga korriku.
Një valë e re e COVID-19 ka goditur Japoninë, ku numri i rasteve të sëmundjes është më i madh se në çdo vend tjetër të botës që nga fundi i korrikut, ndërsa qeveria japoneze nuk pranon të vendosë masa të rrepta.
Numri mesatar ditor i rasteve të konfirmuara i kaloi 150 mijët, duke arritur në 326 mijë më 29 gusht, ndërsa Japonia po përpiqet të frenojë nënvariantin aktual të COVID-19 BA.5, sipas të dhënave nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh).
Sekretari i përgjithshëm i OBSh-së Tedros Adhanom Ghebreyesus raportoi se vetëm në vitin 2022, ka pasur mbi 1 milion raste vdekjesh nga COVID-19 në mbarë botën deri më 25 gusht, duke e quajtur këtë një “moment historik tragjik”.
Maria van Kerkhove, drejtuesja teknike e OBSh-së për COVID-19, tha se numri i vdekjeve është “pikëllues” dhe se është koha për të parë realitetin e epidemisë pas 1 milion rasteve të vdekjes këtë vit.
Ajo ritheksoi se pandemia nuk ka përfunduar. “Shumë njerëz po flasin për të jetuar me COVID, por ne duhet të jetojmë me përgjegjësi. Një milion vdekje këtë vit nuk është jetë me COVID dhe 15 mijë vdekje në javë nuk është jetë me COVID-19 në mënyrë të përgjegjshme,” theksoi Van Kerkhove.
Me lehtësimin e kufizimeve në shumë vende, mjekët kanë shprehur shqetësime për “COVID-in e gjatë” ose sindromën e pas-COVID-it.
Sipas OBSh-së, simptomat më të zakonshme pas COVID-19 përfshijnë lodhje, mosmbushje me frymë ose frymëmarrje me vështirësi, probleme me kujtesën, përqendrimin ose gjumin, kollë të vazhdueshme, dhimbje gjoksi, probleme në të folur, dhimbje muskulore, humbje të nuhatjes ose shijes, depresion ose ankth, ethe etj.
“COVID i gjatë” i bën njerëzit të kenë vështirësi në jetën e përditshme, sipas OBSh-së, duke ndikuar në aftësinë e tyre për të kryer aktivitete të përditshme, si puna apo detyrat familjare.
Në një intervistë për CGTN-in në qershor, Jose Angel Cabrera, kardiolog në spitalin e Universitetit “Quiron” të Madridit të Spanjës, u shpreh se “COVID-i i gjatë” është një problem shëndetësor global, i cili ndikon jo vetëm në shëndetin e individëve, por edhe në shoqëri.
Sipas një seance dëgjimore të mbajtur muajin e kaluar nga Komisioni i Posaçëm për Krizën e COVID-19 i ShBA-së, rreth 1 milion amerikanë janë detyruar të largohen nga tregu i punës për shkak të “COVID-it të gjatë”.
Shumë vende ende përballen me një shkallë të lartë infeksionesh nga COVID-19
NGA KATEGORIA