Ministrat e mbrojtjes të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian janë dakorduar në një takim në Pragë se duhet të parandalohen përpjekjet e Rusisë për të destabilizuar rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe se për stabilitetin e Evropës, rajoni duhet të ketë një perspektivë evropiane.
“Ne bashkëpunojmë në Bosnje dhe Hercegovinë ku operacioni ALTHEA luan një rol kyç për stabilitetin. Ne duhet t’i ofrojmë një perspektivë evropiane Ballkanit Perëndimor. Ne duam të ndihmojmë në zgjidhjen e krizave në marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Vërejmë përpjekje nga jashtë për të ndërhyrë në punët e brendshme të Bosnjë-Hercegovinës”, tha kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, në një konferencë për shtyp gjatë takimit, transmeton Telegrafi.
Siç transmeton N1, Ballkani Perëndimor dhe Afrika ishin në agjendën e takimit të ministrave të mbrojtjes kur diskutuan pasojat globale të pushtimit rus të Ukrainës me pikat e reja të krizës në mbarë botën si dhe rajonet që Rusia po synon t’i destabilizojë.
“Partnerët në jug [të Evropës] janë të ekspozuar ndaj mbajtjes peng nga Rusia, veçanërisht kur bëhet fjalë për eksportet e drithërave. Ne jemi të kënaqur që marrëveshja e eksportit është në fuqi dhe dërgesat e para tashmë kanë mbërritur në Xhibuti. Ne jemi duke bashkëpunuar ngushtë me OKB-në, e cila luan një rol kyç diplomatik në këtë”, tha Borrell.