Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar dënim meritor për dhunimin e të miturës 11 vjeç nga Prishtina.
“Kërkoj nga organet e rendit dhe të hetuesisë që të vënë personat e dyshuar sa më shpejt para drejtësisë, e që kryrësit të marrin dënimin meritor për këtë vepër kaq të rëndë e tronditëse, të dënueshme e të papranueshme. Akte të këtilla brutale të dhunës ndaj fëmijëve, duhet të trajtohen me seriozitet të lartë, në nivel institucional por dhe në atë shoqëror e kulturor. Dhuna ndaj grave dhe vajzave nuk është çështje private, por çështje e sigurisë dhe mirëqenies, publike e sociale”, shkroi Kurti në Facebook.
Kurti shkroi se nuk duhet lejuar që të miturës t’i vidhet fëmijëria.
“Vajza e mitur duhet të marrë përkrahje institucionale dhe shoqërore, përkujdesje maksimale dhe adekuate, shëndetësore e psikologjike. Nuk duhet lejuar që asaj t’i vidhet fëmijëria e t’i rrënohet jeta. As asaj, e asnjë vajze tjetër. Na duhet angazhim maksimal i të gjitha institucioneve, si dhe çdo njërit nga ne, për të çuar përpara përpjekjet tona për ta çrrënjosur dhunën në bazë gjinore. Eliminimi i dhunës është detyrim i secilit veç e veç dhe i të gjithëve së bashku”, përfundon shkrimi i Kurtit.