Gabriel Escobar
I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar pas takimit me drejtuesit e institucioneve në Prishtinë dhe Beograd, shpreson që nuk do të ketë një konflikt në veriun e Kosovës.
Ai, duke folur në një intervistë për mediumin serb N1, ka thënë se askush nuk duhet të vritet apo lëndohet për shkak të tabelave të automjeteve.
Kur është pyetur nëse ka potencial për përshkallëzim të konfliktit me një shtator apo ditëve në vijim, kur Qeveria e Kosovës planifikon të vendos reciprocitet ndaj Serbisë për çështjen e targave të automjeteve dhe dokumentacionit, Escobar ka thënë: “Shpresoj që jo”, transmeton Gazeta Express.
Escobar edhe më herët kishte shprehur shqetësimin e tij për një konflikt të mundshëm, si rezultat i mungesës së një marrëveshjeje mes dy shteteve mbi këto çështje.
“Shpresoj njerëzit ta kuptojnë që askush nuk duhet të vritet apo lëndohet për shkak të tabelave të automjeteve. Megjithatë, pa marrë parasysh nga ajo që shpresojmë, ne në mënyrë të koordinuar jemi duke punuar për siguri dhe stabilitet në Kosovë dhe regjion. KFOR-i është prezent, EULEX-i është prezent dhe kemi bashkëpunim të ngushtë me dy qeveritë dhe po përpiqemi që të zgjidhim mosmarrëveshjet mes tyre, përpara se të rriten tensionet që mund të eskalojnë në një konflikt. Dhe, shpresoj që kjo nuk do të ndodh”, ka deklaruar ai.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka paralajmëruar nëpërmjet një interviste të dhënë për Al Jazeera dërgimin e forcave speciale të Policisë së Kosovës në veri të vendit. Ai ka thënë se askush nuk mund ta pengojë operimin e tyre në të gjithë territorin e shtetit.
Ndërkohë, pas kësaj deklarate, reagime të ashpra kanë ardhur nga Beogradi, me paralajmërime për rezistencë nga populli serb në Kosovë, në rast të futjes së forcave policore në veriun e vendit.