Ish-presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, ka kritikuar qasjen e presidentit aktual, Aleksandar Vuçiq, në raport me Kosovën, duke thënë se sa më shumë që po bën drama aq më shumë humbet.Për deklaratat e Vuçiqit se është pro paqes dhe stabilitetit në Kosovë, Tadiq thotë se i përdor këto fjalë pikërisht për të kundërtën – për të nxitur tensionet.“Sa më shumë që presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe qeveria e tij “luajnë drama dhe dërgojnë mesazhe patriotike, aq më shumë humbasin në Kosovë”, thtoë Tadiq.
“Situata është gjithmonë e rrezikshme, gjithmonë mund të shpërthejë. Dhe regjimi i përdor ato fjali si një mënyrë për të rritur tensionet dhe pastaj shfaqet si shpëtimtar”, tha Tadiq në emisionin “N1 Direktno”.Tadiq thotë se përkundër që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës duhet luftuar për një zgjidhje të qëndrueshme duke respektuar palën shqiptare.
“Ne duhet të kuptojmë se ka shqiptarë që jetojnë në Kosovë që nuk duan ta pranojnë Serbinë si vendin e tyre. Dhe duhet gjetur një zgjidhje tepër komplekse. Unë mendoj se ata do të kthehen përsëri në një rreth në të cilin do të duhet të mendojnë për një zgjidhje kompromisi”, tha Tadiq.Tadiq komentoi edhe deklaratën e emisarit të BE-së, Miroslav Lajçak, se duhet të zbatohet të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, përfshirë edhe Marrëveshjen për Lirinë e Lëvizjes nga viti 2011.
Ai tha se në këtë marrëveshje asnjëra palë s’doli fituese plotësisht, por se u përpoqën që të gjejnë zgjidhje për lëvizje normale.“E gjithë ideja ishte pikërisht kjo – targa, karta identiteti, dokumente – dhe kompromise të dhimbshme u bënë nga të dyja palët, askush nuk fitoi gjithçka dhe humbi gjithçka, por ideja ishte që të normalizohen marrëdhëniet dhe të normalizohet lëvizja e përditshme e njerëzve”, deklaroi ish-presidenti serb.