Vuçiqi “i brengosur” me krizën energjetike në Kosovë, ofron ndihmë

E publikuar: 24/08/2022 22:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në një konferencë shtypi për medie pas mbledhjes së kryesisë së partisë së tij, ku u diskutua mandati i qeverisë së re të Serbisë, foli edhe për krizën energjetike në Kosovë.

Vuçiqi tha se ai është i gatshëm ta ndihmojë “Kosovën e Metohinë” dhe se nuk është e vërtetë se nuk është i gatshëm për normalizim. “Por, t’ua vëmë emrin gjërave siç duhet: Vuçiqi nuk është i gatshëm ta njohë Kosovën, kjo për ta është normalizim”, u shpreh ai.

“Nëse do të mund t’u dhurojmë rrymën kur e kemi, po ua dhëmë”, tha Vuçiqi.

“Në Kosovë e Metohi çdo ditë do të ndalin rrymën dhe ja eja të provojmë e të ndihmojnë, që të kursejme së paku 5 a 10 ditë. Këto ndërprerje do të vrasin njerëz, do të vrasin makineri në shtëpi, ja eja të provojmë e të kursejmë 5 a 10 ditë”, tha ai.

Presidenti serb u pyet se si do ta mbrojë KFOR-i popullin serb në Kosovë, dhe se KFOR-i siç është thënë nuk do të lejojë barrikada në veri. Vuçiq u përgjigj që KFOR duhet të mbrojë pakicat dhe nuk duhet të lejojë keqtrajtimin dhe provokimin e serbëve.

Më tej, Vuçiqi u ankua për hipokrizinë e bashkësisë ndërkombëtare dhe standardet e dyfishta, ku theksoi dallimin në qasjen se çka nënkuptohet me normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, sipas tij.

Vucic shtoi më tej se duan t’i zgjedhin problemet mes serbëve dhe shqiptarëve: “Por jo nuk dua që ta pranoj Kosovën. Dhe menjëherë qenkam kundër normalizimit. Shikoni se çfarë shkruajnë media të caktuara botërore, se çfarë rrenacakësh janë. Unë kam thënë se shpresoj që KFOR-i dhe NATO nuk do të lejojnë pogrom dhe vrasje të serbëve, dhe nëse ata nuk i mbrojnë ne do ta bëjmë”.

“Titulli në media ishte ‘Vucic kërcënoi se do sulmojë Kosovën’. Lëre anash që është rrenë, atyre as që nuk u interesoi se ndoshta do të kishte pogrom ndaj serbëve, kjo pra sipas tyre do të ishte në rregull. Unë thashë se do të mbrojmë popullin, por siç duket unë s’e paskam thënë këtë, paskam thënë që do ta sulmoj Kosovën. Po rreni, dhe s’ka që e mat sa po rreni”, u shpreh i frustruar Aleksandar Vuçiq.

Të dielën Vucic doli në adresimin e tij të famshëm “më të rëndësishmin ndonjëherë” me pretendime se pala serbe ishte ajo konstruktive, ndërsa kosovarja ajo refuzuese. Ai shkoi aq larg sa tha që në Kosovë ka grupe çeçene terroriste që po përgatisin pogrom ndaj serbëve. Ai madje paraqiti edhe gjashtë pikat e propozuara nga Republika e Kosovës për normalizim të marrëdhënieve, ku përfshihej njohja reciproke mes dy vendeve, gjë që është kategorikisht e papranueshme për palën serbe.