ME: Vjedhja e rrymës po na kushton miliona euro në vit, qytetarët të raportojnë – krahas kursimit

E publikuar: 16/08/2022 17:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministria e Ekonomisë (ME) nëpërmes një komunikate shtypi ka ngarkuar qytetarët që e vjedhin rrymën elektrike se mbajnë një pjesë të madhe të fajit për situatën e krijuar me furnizim me energji elektrike.

Përdorimi i paautorizuar i energjisë elektrike, humbjet komerciale të KEDS-it, pra vjedhjet e energjisë elektrike gjatë vitit 2021, do të kushtonin deri në 110 milionë euro nëse do të bliheshin të gjitha me çmimet e importit, ose thënë ndryshe, dy blloqet e Termocentralit “Kosova B” duhet të punojnë 31 ditë në vit për t’i mbuluar vetëm vjedhjet e energjisë elektrike, thuhet në komunikatën për medie.

“Ndërsa për vitin 2022 vjedhjet parashikohen të arrijnë deri në 99 milionë euro, nëse çmimi i energjisë nuk rritet më tej në bursat ndërkombëtare, apo 26 ditë pune të dy blloqeve të Termocentralit ‘Kosova B’”, vazhdon komunikata e ME-së.

Në situatën e krijuar me furnizim me energji elektrike, Ministria e Ekonomisë është në komunikim të vazhdueshëm me institucionet përgjegjëse të furnizimit.

Ne jemi duke ndërmarrë masa për të dhënë ndihmën e duhur në ndërprerjen e përdorimit të paautorizuar të energjisë elektrike së bashku me organet ligjzbatuese dhe kompaninë e distribuimit të energjisë elektrike, KEDS, e cila e ka për detyrë sipas kontratës së privatizimit që t’i ndalë ato.

Këto vjedhje të energjisë elektrike, jo vetëm që janë vepra penale sipas Kodit Penal, por tashmë janë një kosto e papërballueshme që duhet të paguhen nga paratë e të gjithëve nëse nuk ndalen.

“Kryerësit e këtyre veprave, energjinë e vjedhur e shfrytëzojnë në mënyrë joracionale, jo për nevojat bazike”.

“Kyçjet e paautorizuara në rrjetin e energjisë elektrike përbëjnë rrezik edhe të jetës dhe rrezik në stabilitetin e rrjetit të distribuimit”.

ME paralajmëron se ditëve në vijim  institucionet tona do të qëndrojnë në monitorim të aksioneve të KEDS-it për të ndalur vjedhjet e energjisë. “Ndërkohë po koordinohen masat shtesë për këtë dukuri”.

Ndaj ME fton qytetarët e nderuar, që krahas  kursimit të energjisë elektrike të raportojnë secilin rastet e vjedhjeve të energjisë kudo ku i vënë re apo kanë dijeni për to.

“Raportimi i tyre masiv do të ndikojë në sigurinë e furnizimit me energji elektrike në këtë kohë të vështirë të krizës energjetike, e gjithashtu edhe në parandalimin e fatkeqësive”, përfundon komunikata.