Kina pritet të arrijë objektivin e saj të kontrollit të inflacionit këtë vit pasi vendi ka disa kushte të favorshme për të ruajtur stabilitetin e përgjithshëm të çmimeve, bëri të ditur Banka Qendrore, citon “Xinhua”.
Në raportin e Bankë Popullore të Kinës (PBOC) thuhet se pritet që rritjet e çmimeve të këtij viti të mbeten brenda një intervali të arsyeshëm, duke arritur objektivin e një rritjeje mesatare vjetore të indeksit të çmimeve të konsumit (CPI) prej rreth 3 për qind.
Për sa i përket bazave ekonomike, Kina ka kushte të favorshme për të mbajtur çmimet në përgjithësi të qëndrueshme, bëri të ditur PBOC, duke përmendur politikën monetare të qëndrueshme të vendit, shkallën e lartë të vetëmjaftueshmërisë ushqimore, lidhjen e ulët të çmimeve vendase të qymyrit dhe energjisë së pastër me tregjet ndërkombëtare dhe funksionimin efikas të zinxhirëve industrialë dhe të furnizimit.
Banka Qendrore paralajmëroi gjithashtu për presionin strukturor të inflacionit, duke vënë në dukje se rritja e indeksit të çmimeve të konsumit mund të arrijë në 3 për qind brenda disa muajsh.
Sipas të dhënave zyrtare, inflacioni i Kinës u rrit 2.7 për qind nga viti në vit në korrik.
Në raport theksohet se banka qendrore do t’i përmbahet një qasjeje të kujdesshme në politikën e saj monetare .