Shefi i repartit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Istog, Tahir Kaliqani, ka dhënë detaje shtesë, rreth gjetjes pa shenja jete, të një foshnjeje katër muajshe në fshatin Serbobran.
Ai për Klan Kosovën u shpreh se ky rast ndodhi mëngjesin e hershëm të së hënës që e lëmë pas, rreth orës 5.30 minuta.
”Pas vizitës që i ka bërë mjeku kujdestar, është konstatuar se foshnja ka qenë pa shenja jete. Sipas raportit që shkruan dr.Bilalli, nuk vërehen shenja të dhunës, përpos hipotermi, një rënie të temperaturës, që do të thotë, se, ka pasur mundësi që foshnja të kishte vdekur dy-tre orë më herët, ose më shumë”.
”Edhe nga përvoja ime, që kam marrë pjesë në shumë të tilla ekzaminime, në vdekje të dyshimta, e jona si punëtorë shëndetësorë, është të bëjmë përcaktimin e diagnozës. Në momentin që ne përcaktojmë se është pa shenja jete, e nëse shohim shenja të dhunës apo diçka tjetër, është çështje e policisë apo e prokurorisë të ndërhyjnë me rastin”.