Një vajzë ulet para një furre buke mes turmës me gra afgane që presin të marrin bukë në Kabul, Afganistan. 31 janar 2022.
Një grup humanitar tha se një vit pas kthimit në pushtet të talibanëve, vajzat afgane janë përballur me krizë të rëndë ekonomike dhe kufizime të reja që kanë shkatërruar jetën e tyre, duke i përjashtuar ato nga shoqëria dhe duke i lënë të uritura.
Si rezultat, një e katërta e vajzave afgane kanë shfaqur shenja depresioni, tha Save the Children në një raport të ri më 10 gusht.
Raporti i titulluar “Pika e Kthimit: Jeta për fëmijët një vit që nga marrja e talibanëve”, zbuloi se 97 për qind e familjeve po luftojnë për të siguruar ushqim të mjaftueshëm për fëmijët e tyre dhe pothuajse 80 për qind e fëmijëve thanë se kishin shkuar në shtrat të uritur në muajt e kaluar.
Vajzat kishin pothuajse dy herë më shumë gjasa se djemtë që të shkonin më shpesh të uritura në shtrat dhe të hanin më pak në përgjithësi.
Uria po ndikon në shëndetin dhe zhvillimin e fëmijëve, ku 90 për qind e vajzave thanë se ushqimi gjithnjë e më pak gjatë vitit të kaluar ka ndikuar në humbjen e peshës dhe mungesën e energjisë për të punuar apo edhe për të luajtur.
Mirëqenia mendore dhe psikosociale e vajzave gjithashtu është rrezikuar seriozisht, thuhet në raport.
Që nga marrja e pushtetit pas tërheqjes së forcave të udhëhequra nga NATO në gusht të vitit të kaluar, talibanët nuk kanë arritur të sigurojnë njohje për qeverinë e tyre, ku shumë vende në Perëndim kërkojnë që grupi të respektojë të drejtat e grave dhe pakicave në vend./REL/