Lista Serbe, ka bërë të ditur se është duke u angazhuar për rrëzimin nga pushteti kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, kjo parti thotë se Qeveria Kurti po punon kundër interesave të popullit serb.
“Lista Serbe nuk bashkëpunon me Qeverinë e Albin Kurtit, sepse ajo punon kundër interesave të popullit serb dhe se qëllimi ynë politik është të rrëzojmë Albin Kurtin nga pushteti, që është në interes të të gjithëve që duan të jetojnë në paqe në këto zona”, tha Lista Serbe.
Në reagimin e tyre përmendet rasti i 31 korrikut në veriun e Mitrovicës.
“Ministri Sveçla nuk mund të pranojë se serbët në veri janë më të bashkuar se kurrë, nuk mund të pranojë se serbët janë të vendosur të mbijetojnë dhe të qëndrojnë përkundër kërcënimeve të tij, t’i besojnë kryesisë së Listës Serbe”.
Sipas Listës Serbe, Milan Radoiçiq ka qenë në mesin e protestuesve gjatë kohës kur Policia e Kosovës ka vepruar në veri.
Por këtë gjë e kishte mohuar ministri Sveçla.
Sipas tij, Radoiçiq në fillim të korrikut ka incizuar një video në veri të Kosovës dhe më pas ka dalë nga territori i shtetit.
“Sveçla nuk do të pranojë se është i vetëdijshëm se sa autoritet ka Radoiçiq në mesin e serbëve, gjë që u pa më së miri të dielën kur Radoiçiq iu bashkua atyre në protesta, dhe ishte gjatë gjithë kohës me qytetarët dhe kryesinë e Listës Serbe, në përgjithësi me entuziazmin e të gjithë të pranishmëve që atëherë ndiheshin më të sigurt dhe më të mbrojtur, sepse, si gjithmonë kur ishte vështirë me ta, ai kujdeset për sigurinë dhe sigurinë e çdo burrë dhe çdo familje në veri”, thotë kjo parti.
Reagimi vie pas deklaratave të bëra nga ministri Sveçla në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës.
Sipas Sveçles, Lista Serbe është e “devalvuar politikisht” dhe tha se në ekzekutiv nuk ka as vullnet për të bashkëpunuar me këtë parti, pasi shoti se ajo bashkëpunon me grupe kriminale.
Duhet theksuar se Vetëvendosje nuk ka marrëveshje koalicioni me Listën Serbe.
Sipas Kushtetutës, kjo parti merr pjesë në ekzekutiv, duke udhëhequr me Ministrinë për Komunitete dhe Kthim./Telegrafi/