Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, ka thënë se shteti i tij do të mbetet në anën e Serbisë kur vjen puna për Kosovën dhe se Madridi përkrah integritetin territorial të Serbisë.
“Duam që integriteti territorial dhe e drejta ndërkombëtare të respektohet në rastin e dy vendeve tona”, tha Sanchez gjatë konferencës për media me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në Beograd.
Në ndërkohë, Vuçiq tha se Spanja përkrah dialogun Prishtinë-Beograd të ndërmjetësuar nga BE-ja.
Spanja është në mesin e pesë shteteve të BE-së që nuk e pranon Pavarësinë e Kosovës.
Klan Kosova gjatë ditës së djeshme ka raportuar se kryeministri spanjoll do ta shmangë Prishtinën në turneun e tij në shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Autoritetet në Madrid të pyetura se pse Sanchez nuk viziton Kosovën nuk kanë kthyer përgjigje.
Spanja ka treguar shenja mbështetëse ndaj Kosovës dhe rajonit në synimet e tyre për integrimet në BE. Pedro Sanchez u bë kryeministri i parë spanjoll që publikisht tha se shteti i tij e aprovon liberalizimin e vizave për kosovarët.