ALBATROS REXHAJ
Mungesë dëshire, moskokëçarje dhe apati. Tre në një. Të parët jemi ne, të dytët janë ata që janë mbi ne dhe në të tretën jemi të gjithë së bashku. Dhe, në këtë treshe, me slogane shterpe, deklamime, që as vetë nuk i besojmë, kërkojmë zgjidhje
Shpesh na ndodh të dëgjojmë fraza si:”Na duhen njerëz të rinj” apo “Duhet t’ua japim rastin tërinjve” dhe të ngjashme. Në përshtypje të parë, na tingëllojnë si formula të natyrshme për daljen nga situata e ndjenjës së pashpresë, ku jemi të kapërthyer, dhe për njëçlirim nga apatia moskokëçarëse e atyre që do të duhej të kujdeseshin për zhvillimin tonë.
Por çfarë bëjmë që t’u jepet rasti të rinjve? Apo, kjo është edhe më keq, sa, me të vërtetë, i përkrahim të rinjtë, atëherë kur atyre u jepet rasti ose e kërkojnë rastin që ta dëshmojnë veten?
“Është djalë i mirë, por pakëz i ri” – ky është komenti me të cilin synojmë të arsyetohemi për mosbesimin ndaj të rinjve. Kjo do të thotë se një i ri, megjithatë duhet të presë. Të presë të matufoset, pasi që, vetëm pasi të plaket, mund të shpresojë se mund t’i jepet një rast.
Mentalitet paradoksesh!
Nuk di si ta emëroj ndryshe, sepse pakkush e thotë atë që vërtetë mendon. Dhe kjo më sjell te paradoksi tjetër.
Shpesh na ndodh tëdëgjojmë: “Kam mësuar nga zhgënjimet e mia”, “Jam mësuar të jem e kujdesshme me njerëz” dhe të ngjashme që na servohen si leksione të nxjerra nga vorbulla e zhgënjimeve të njëpasnjëshme. Edhe këto, në pamje të parë, na duken si formula të natyrshme të menaxhimit tërealitetin tonë të egër, të mbërthyer me intriga dhe ndërskamca.
Por çfarë mësojmë në të vërtetë nga zhgënjimet?A mësojmë vërtetë ndonjë gjë me vlerë nga këto përpëlitje tonat?
E vërteta është se e vetmja gjë, që e mësojmë nga zhgënjimet, është mënyra se si të vendosim mure, si të fshihemi prapa maskash dhe si ta kufizojmë veten. E bindim veten se diçka nuk është në rregull me ne dhe se duhet të ndryshojmë. Dhe, duke dashur që ta krijojmë një figurë të pranueshme për të tjerët, në të vërtetë e krijojmë një të huaj. Jo një të huaj për botën, por një të huaj për veten.
Dhe pastaj vjen fraza e famshme: “Ky është realiteti i hidhur. Deshe apo nuk deshe, duhet ta pranosh.”
Mungesë dëshire, moskokëçarje dhe apati. Tre në një. Të parët jemi ne, të dytët janë ata që janë mbi ne dhe në të tretën jemi të gjithë së bashku. Dhe, në këtë treshe, me slogane shterpe, deklamime, që as vetë nuk i besojmë, kërkojmë zgjidhje.
Çfarë është ky realitet kështu, që duhet ta pranojmë?
Apo – të bëhemi pakëz cinik – kush tjetër, pos vetë neve, e krijon, e fuqizon dhe e ushqen këtë realitet të hidhur?
Cikli i paradokseve nuk do të ndalet derisa nuk e ndiejmë se jemi vetë ne që i japim jetë këtyre paradokseve.
Apo këtë tashmëveç e dimë!
Të gjitha tashmë i dimë, por qëllimisht fshihemi prapa perdeve të mosdijes./express/
Kështu apatia jonë duket si diçka e pafajshme.