Artistja Hana Noka ka bërë të ditur se i kishte shkruar një letër më parë Shtëpisë së Bardhë, presidentit amerikan Joe Biden, duke e falënderuar për kontributin e dhënë për Kosovën.
Ajo, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se Biden i kishte kthyer asaj letrën, të cilën e ka publikuar.
Në të Biden e falënderonte shqiptaro-amerikanen për idetë dhe gjërat që ajo i kishte ndarë në letrën e nisur drejt tij, duke shtuar se gjërat e tilla janë një inspirim për të.
“Derisa ne ecim përpara për të trajtuar çështjet komplekse të kohës sonë. Ju inkurajoj të mbeteni një pjesëmarrëse aktive për të ndihmuar në shkrimin e kapitullit tjetër të madh të tregimit amerikan. Ne kemi nevojë për ju, për guximin dhe përkushtimin në këtë kohë kritike dhe ne duhet ta kemi këtë moment së bashku si Shtete të Bashkuara të Amerikës. Nëse e bëjmë këtë, besoj se ditët tona më të mira janë ende përpara”, ka shkruar Biden.
Ndërsa, Noka ka thënë se është shumë e lumtur që e ka marrë këtë letër nga Biden
“I shkrova si një shqiptare/amerikane për të shprehur sa mirënjohëse jam për gjithë mbështetjen e tij për atdheun tim Kosovën që nga viti 1999! E informova edhe për projektet e mia dhe përkushtimin tim për të kthyer kontributin tim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pasi po përballemi me një kohë shumë sfiduese, por së bashku – jemi më të fortë”,ka shkruar Noka në Facebook.