Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, sikur të ishte kohë fushate po shfaqin pretendime që “janë duke u rritur”, në të njëjtën ditë.
Albin Kurti, kryetar i partisë në pushtet, ka thënë të dielën gjatë një konference për media se Lëvizja Vetëvendosje ka 59 mijë e 291 anëtarë.
“Me këtë ritëm, së shpejti do t’i kemi mbi 60 mijë anëtarë”, thuhet në kumtesën e VV-së referuar konferencës së kryeministrit.
Por të njëjtën gjë, pra rritjen – po e pretendon edhe LDK-ja.
Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se subjektit më të vjetër politik në Kosovë po i kthehet mbështetja.
“LDK drejt pozitës së saj natyrale. Rikthimi i qytetarëve në shtëpinë e tyre të madhe po vazhdon. Ky rikthim është i bazuar dhe i natyrshëm. Rrugëtimi për të mirën e vendit gjithmonë nisë nga shtëpia – LDK”, ka shkruar ai në Facebook, të dielën.
Përndryshe në nivel parlamentar, LVV-ja është dukshëm më e madhe sesa LDK-ja, por në zgjedhjet lokale partia e Lumir Abdixhikut qeverisë me nëntë komuna, për dallim nga LDK-ja që i drejton katër sosh.
Këto dy subjekte politike ideologjikisht të kundërta, kishin qeverisur bashkë në fillim të vitit 2020.
Por bashkëpunimi mes tyre ishte jetëshkurtër, pasi një shkarkim i Agim Veliut, atëherë ministër i Punëve të Brendshme bëri që LDK-ja ta braktiste koalicionin dhe ta rrëzonte Qeverinë Kurti 1. /Express