Gjukanoviq e ndërpret mbështetjen për qeverinë e Dritan Abazoviq
Partia Demokratike e Socialistëve e Malit të Zi, e cila udhëhiqet nga presidenti i këtij vendi Milo Gjukanoviq, e ka ndërprerë mbështetjen për qeverinë e kryeministrit Dritan Abazoviq.
Kjo u vendos pas mbledhjes së kryesisë së kësaj partie.
Në njoftimin e partisë thuhet se arsyeja e ndërmarrjes së këtij hapi është Marrëveshja Themelore me Kishën Ortodokse Serbe e cila u votua nga shumica e ministrave e Qeverisë së Abazoviqi të premten, më 8 korrik.
DPS deklaroi se marrëveshja me Kishën Serbe kërcënon interesat shtetërore të Malit të Zi.
Kjo parti vlerëson se Qeveria ndryshoi kursin politik për të cilin ishte rënë dakord me formimin e saj.
“Qeveria e braktisi detyrën prioritare të përmbushjes së detyrimeve nga agjenda e integrimit evropian dhe me nguti dhe në mënyrë të papërgjegjshme, pa u konsultuar me ekspertët, bëri marrëveshje me Kishën Ortodokse, duke i shkaktuar dëm të pallogaritshëm interesave shtetërore të Malit të Zi”.