Kosova synon të bëhet pjesë e sistemit të Kartonit të Gjelbër përmes një shteti tjetër – e vetme nuk mund të arrijë, pasi nuk është anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Përfaqësues të Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS) thonë se, gjatë korrikut, pritet të mbajnë një takim me Këshillin e Byrosë Evropiane, i cili siguron Kartonin e Gjelbër, për të diskutuar mundësinë e tillë.
“Ne duhet të marrim një aprovim nga Këshilli i Byrosë Evropiane [në Bruksel] për të bërë një marrëveshje me një shtet tjetër, në mënyrë që edhe Kosova, përmes Byrosë Kosovare të Sigurimeve, të ketë Kartonin e Gjelbër. Pa qenë pjesë e OKB-së, ne nuk mund të anëtarësohemi në Këshillin e Byrosë Evropiane”, thotë për Radion Evropa e Lirë Sami Mazreku, drejtor ekzekutiv i BKS-së.
Kartoni i Gjelbër është një certifikatë ndërkombëtare e sigurimit të automjeteve, e cila pranohet nga autoritetet e të 47 vendeve, ku Kartoni i Gjelbër është i vlefshëm.
Ky lloj sigurimi mbulon dëmet personale ose materiale që mund të shkaktohen, në rast të aksidentit në territorin e një shteti ku vlen Kartoni i Gjelbër. Ky karton merret kur sigurohet vetura dhe vlen në të gjitha shtetet që e kanë në përdorim. Në mungesë të tij, qytetarët e Kosovës duhet të paguajnë sigurim në cilindo shtet të huaj, përveç atyre me të cilat Kosova ka marrëveshje reciproke për polica sigurimi.
Kosova është vendi i vetëm në territorin e Evropës që nuk është anëtare e Këshillit të Byrosë Evropiane. Por, statuti i këtij këshilli e thekson se për të pranuar një shtet, ai duhet të jetë anëtar i OKB-së.
Mazreku nuk tregon se përmes cilit shtet Kosova synon anëtarësimin, por thotë se i ka plotësuar kushtet për një gjë të tillë.
“Kemi dy – tri opsione, por njëri shtet është më serioz… Ne do ta njoftojmë Këshillin e Byrosë Evropiane me cilin shtet mund ta shesim [Kartonin e Gjelbër], pastaj do të bëjmë një ekip teknik, që do të merret me aspektet tjera procedurale dhe koston”, thotë Mazreku, duke mos dhënë detaje të tjera.
Kushti që është dashur ta plotësojë Byroja Kosovare e Sigurimit ka qenë nënshkrimi i marrëveshjeve dypalëshe për njohjen reciproke të policave të sigurimit me sa më shumë shtete.
Kosova, aktualisht, ka marrëveshje të tilla me katër shtete të rajonit: Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Serbinë.
Kriter kryesor teknik për Kartonin e Gjelbër është, po ashtu, ulja e numrit të automjeteve të paregjistruara nën nivelin prej 5%.
Deri para muajit mars të këtij viti, në Kosovë ka pasur numër të madh të veturave të paregjistruara dhe të pasiguruara – mbi 200 mijë. Tash, sipas të dhënave të Byrosë Kosovare të Sigurimeve, numri i veturave të paregjistruara ka rënë në 22,600, në raport me 410,000 të regjistruara, që do të thotë se është plotësuar kushti.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, thotë se kjo është arritur pas fillimit të aplikimit të tiketave ngjitëse të regjistrimit, si dhe me nxjerrjen e një udhëzimin administrativ, sipas të cilit, automjetet që nuk regjistrohen dy vjet me radhë, largohen nga lista e automjeteve të paregjistruara.
Tiketa ngjitëse, e cila merret pas kontrollit teknik të automjetit, ka nisur të zbatohet në mars.
“Me këto masa, muajin e kaluar, ne kemi arritur në vlerën 5 për qind të automjeteve të paregjistruara. Tashmë, kriteret teknike [për Kartonin e Gjelbër] janë plotësuar. Pasi që nuk jemi vend anëtar i OKB-së, kjo na e vështirëson aplikimin për Karton të Gjelbër. Megjithatë, jemi duke hulumtuar dhe trajtuar zgjidhjet që na mundësojnë realizimin sa më të shpejtë të qëllimit tonë”, thotë Kryeziu për Radion Evropa e Lirë.
Pagesa e sigurimit kufitar nga buxheti i shtetit
Meqë nuk është pjesë e Kartonit të Gjelbër, sigurimi i veturave që lëshohet në Kosovë, nuk vlen për vendet tjera. Po ashtu, veturat që hyjnë në Kosovë, duhet të paguajnë sigurim shtesë, pavarësisht nëse kanë ose jo Kartonin e Gjelbër.
Tarifa e sigurimit që paguhet në kufi, ndryshon nga kategoria e mjeteve motorike dhe periudha e qëndrimit në Kosovë.
Personat që hyjnë në Kosovë me auto-vetura me tabela të huaja, duhet të paguajnë 15 euro për një qëndrim prej 15 ditësh. Qëndrimi për një vit kap vlerën e 205 eurove. Këto tarifa janë më të larta për autobusë dhe kamionë mbi një ton.
Sipas të dhënave të Byrosë Kosovare të Sigurimeve, vlera vjetore e këtyre mjeteve ka arritur deri në 10 milionë euro.
Në gusht të vitit 2020, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të mbulojë sigurimin kufitar për diasporën, duke ndarë 3 milionë euro.
Ky vendim ka qenë në fuqi deri në dhjetor të vitit 2020, ndërsa nga marsi i vitit 2021 është kthyer sërish.
Qeveria ka ndarë pesë milionë euro për, siç është thënë, “mbështetje e mërgatës”, duke i mbuluar shpenzimet e sigurimit kufitar.
Nga marsi, Qeveria ka lansuar formularin elektronik për subvencionimin e policave kufitare për diasporën kosovare që hyn në Kosovë gjatë vitit 2022.
Këto pagesa nga buxheti i shtetit janë kundërshtuar vazhdimisht nga shoqëria civile.
Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Instituti për Politika Zhvillimore dhe disa organizata të tjera të shoqërisë civile kanë vlerësuar se ky shpenzim është “i pajustifikueshëm”.
Në vend të kësaj, shoqëria civile ka bërë thirrje që Qeveria e Kosovës, nëpërmjet Byrosë Kosovare të Sigurimit, t’i shtojë përpjekjet për ta futur Kosovën në Kartonin e Gjelbër.
Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008. Për shkak të kundërshtimeve të Serbisë dhe aleates së saj, Rusisë, Kosova nuk ka arritur ende të bëhet pjesë e organizatave të ndryshme ndërkombëtare, si: OKB, Organizata Botërore e Tregtisë, Organizata Ndërkombëtare e Policisë Kriminale e të tjera.
Kosova, megjithatë, ka arritur të anëtarësohet në disa të tjera – në mesin e tyre: Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komiteti Olimpik, Federata Evropiane e Futbollit dhe Federata Botërore e Futbollit./REL