Pas drekës, kryeministri Albin Kurti do ta presë në zyrën e tij në Qeveri, përfaqësuesin special të Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Takimi është paraparë të zhvillohet në orën 14:30 dhe mediat mund të marrin vetëm pamje nga oborri i ndërtesës së Qeverisë.
Nga krerët e institucioneve, Kurti mund të jetë nikoqiri i vetëm i diplomatit sllovak, i cili do të qëndrojë në Kosovë deri të mërkurën.
Presidentja Vjosa Osmani po qëndron në Singapor. Ajo udhëtoi të premtën drejt Azisë Juglindore, duke shkuar fillimisht në Tajlandë.
Nga Presidenca i thanë Gazetës Express se “Presidentja sapo ka nisur vizitën në Singapor”, pa treguar nëse ajo do të kthehet në Kosovë dhe nëse do të takohet me emisarin Miroslav Lajçak.
Në Ministrinë e Punëve të Jashtme nuk kanë qenë të qasshëm për t’iu përgjigjur gazetës nëse ministrja Donika Gërvalla do ta takojë emisarin Lajçak.
Të paqasshëm ishin edhe në Kabinetin e Kryetarit të Kuvendit dhe në Drejtorinë për Media dhe Marrëdhënie me Publikun. Kuvendi gjithashtu nuk ka lëshuar ndonjë njoftim se emisari Miroslav Lajçak do të pritet në takim nga kryeparlamentari Glauk Konjufca.
Çfarë paralajmëroi Zyra e BE-së?Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë njoftoi dje për agjendën e Lajçak gjatë vizitës treditore. Nuk u paralajmërua ndonjë takim me krerët tjerë të institucioneve, pëveç atij me kryeministrin Kurti.
U njoftua se Lajçak do t’i takojë liderët e partive opozitare dhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare.
“Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian (EUSR) për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, MiroslavLajčák, do të vizitojë Kosovën nga 27 deri më 29 qershor. Gjatë vizitës së tij Lajçak do të takohet me kryeministrin Albin Kurti, si dhe me liderë të partive kryesore opozitare dhe përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë”, u tha në njoftim.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, Lajçak planifikon ta vizitojë edhe Prizrenin dhe veriun e Kosovës.Para se ta lë Kosovën, është planifikuar që Lajçak ta mbajë një fjalim për media të mërkurën.
“Detajet do të ndahen me përfaqësuesit e mediave të martën, më 28 qershor”, u tha në njoftimin e Zyrës së BE-së.
Vizita e Lajçak vjen pesë ditë pasi Kosova dhe Serbia u dakorduan në Bruksel për udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjes për energjinë elektrike në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit.