Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka miratuar të premten kërkesën për dhënie të licencës për furnizim me energji elektrike për “Elektrosever” për katër komunat veriore, bazuar në marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, raporton Ekonomia Online.
Me pesë vota për dhe asnjë kundër, ZRRE-ja ia ka dhënë të premten licencën për furnizim me energji elektrike kompanisë “Elektrosever”.Pas aprovimit të kësaj licence, katër komunat në veri, Mitrovica e Veriut, Zveçani, Leposaviqi dhe Zubin Potoku do të furnizohen me energji elektrike dhe do të faturohen me çmime të parregulluara nga “Elektroserveri”.
Ymer Zejnullahu, drejtor i bordit të ZRrE-së, tha se tarifat e furnizuesit do të jenë obligative dhe do të implentohen në të gjithë territorin.“Me të drejtë u përshkrua në mënyrë kronologjikë aplikacioni për licencim. Katër komunat në veri: Zveçan, Zubin Potok, Leposaviq dhe Mitrovica Veriore, territori qe mbulon kjo licencë janë konsumatorët e këtyre komunave. E dimë që ka qenë proces i stërzgjatur.
Kjo licencë gjithashtu duhet të ritheksoj ka të bëjë me furnizimin e konsumatorëve me çmime të parregulluara, që do të thotë se konsumatorët do të furnizohen me çmime që ofrohen nga ky furnizues. Por tarifat e shfrytëzimit të rrjetit të transmisionit të tregut, të furnizuesit do të jenë obligative dhe do të implementohen në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Ndërsa konsumatorët kane të drejtë të furnizohen me çmime të parregulluara nga furnizuesi Elektrosever”, ka thënë kryetari i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu.Kompania “Drustvo Elektrosever” që nga fundi i muajit dhjetor të vitit 2020 ka aplikuar për licencim, ndërsa deri më sot nuk është pajisur me licencë për shkak se dhënia e licencës varej nga përputhshmëria me marrëveshjen e Brukselit.
Kosova dhe Serbia në Bruksel të martën nënshkruan udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjeve të arritura për energjinë gjatë viteve 2013 e 2015, ku njëra ndër pikat obligon ZRRE-në t’ia lëshojë licencën e furnizimit “Elektroseverit”.