Me foton zyrtare nga samiti në Bruksel ku marrin pjesë liderët europiane, kryeministri Edi Rama ka përcjellë një mesazh të qartë.
“Vend i bukur njerëz të këndshëm fjalë të bukura foto të bukura dhe imagjinoni sa më bukur mund të ishte nëse premtimet e bukura do të pasoheshin nga një dorëzim i këndshëm… Por ne shqiptarët nuk jemi aq të mirë sa të dorëzohemi bukur! Kështu që ne do të vazhdojmë dhe do të punojmë edhe më shumë për ta bërë Shqipërinë një anëtare të mirë të BE-së”
Para nisjes së samitit, kryeministri foli lidhur me veton bullgare që po pengon avancimin e negociatave të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për t’iu bashkuar BE-së, ndërsa theksoi se nuk ka shpresë që çështja të zgjidhet sot,transmeton Express.
“Është turp që një vend i NATO-s, Bullgaria, kidnapon dy vende tjera të NATO-s, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, në mes të një lufte të nxehtë në Evropë me 26 vende të tjera që rrinë pa lëvizur duke treguar një pafuqi të frikshme”, tha ai.
Kurse kryeministri bullgar Kiril Petkov tha sot se nuk kishte asnjë shans që Bullgaria të hiqte veton ndaj Maqedonisë së Veriut gjatë këtij samiti të BE-së, por la të kuptohet se një zgjidhje mund të jetë e afërt në ditët në vijim.