Christoph Hasselbach
Duket se jetohet mirë si popull në ishull. E pra Islanda e tërhoqi sërish aplikimin për anëtarësi në BE. Por arsyet e vërteta japin shkas që të gjithë evropianët t’i venë gishtin kokës
Ishullit në Atlantikun Verior në vitin 2008 i kish ardhur laku në fyt. Një sektor bankar i fryrë artificialisht në valën e krizës financiare mbarëbotërore praktikisht brenda ditës falimentoi duke kërcënuar ta çojë shtetin drejt greminës. Islandezët i përfshiu paniku. Ndonëse pati kredi, ndër të tjera edhe nga FMN-ja, ky vend i veçuar papritur nuk e ndjeu më veten mirë prej splendid isolation, por kuptoi se ishte vërtetë i vetëm dhe i braktisur. Me një ndjesi të tillë islandezët e mposhtën krenarinë për pavarësinë e tyre dhe trokitën në portën e madhe të BE. Kjo e fundit në vitet që pasuan u ndihmoi njëkohësisht disa vendeve anëtare, që ishin gjithashtu të zhytura në borxhe. Tani Islanda e ka tërhequr kërkesën e vet për anëtarësim. Shumë islandezë, ndonëse indinjohen që qeveria nuk organizoi refrendum për këtë çështje, e kanë të qartë, se edhe me të asgjë s’do ta kish ndryshuar jo-në e tyre. Lamtumira nga BE-ja pra nuk vjen papritur dhe ka kohë që ajo po bëhej evidente.
Të shijohen avantazhet, të shmangen disavantazhet
Si u arrit ky ndryshim i qëndrimit? Çështja e peshkimit luan një farë roli, por ndoshta jo rolin më të rëndësishëm. Sepse qysh në krye të herës islandezët e dinin se çfarë valleje po i futeshin. Eshtë e vërtetë: peshkimi është shumë i rëndësishëm për Islandën, dhe ishullit me anëtarësimin në BE do t’i duhej të integrohej në sistemin e kuotave të peshkimit. Nga ana tjetër Islanda është anëtare e Zonës Ekonomike Europiane dhe mund t’i eksportojë pa doganë peshqit e vet në BE. Islanda veç kësaj përmes Bashkimit Nordik të Qarkullimit të Lirë është pjesë e hapësirës Shengen, ku janë hequr kontrollet kufitare. Kjo e lehtëson jashtëzakonisht turizmin – po ashtu një burim i rëndësishëm i të ardhurave. Me fjalë të tjera: Islanda edhe pa anëtarësinë në BE ka një sërë avantazhesh nga lidhja e madhe e shteteve dhe do që të shmangë disavantazhet.
Kush ka para mbetet jashtë
Për disa vite me radhë islandezët i lanë kohë vetes që ta kuptojnë efektin e disavantazheve. Ata p.sh. mundën të shohin, se si BE-ja, e në radhë të parë vendet e Eurozonës, kanë investuar shuma marramendëse në ndihmën për vendet e tjera anëtare të zhytura në borxhe. Në rastin e Greqisë kjo me rezultatin, që ky vend sot nuk është aspak më mirë se sa në fillim të ndihmave, refuzon reformat dhe madje i fyen ndihmësit. Askush nuk do të hyjë në një klub të tillë, nëse kjo nuk duhet patjetër. Islanda në të kundërt ndihmoi në masë të gjerë vetveten në krizën financiare – ashtu siç e kanë bërë edhe vende të tjera në BE – dhe sot është sërish solide. A mendon Norvegjia të anëtarësohet në BE? Jo. Po Zvicra? E përse duhet ta bëjë ajo këtë? A mendojnë suedezët, danezët, apo britanikët që të venë Euron në përdorim? Sot më pak se çdo herë tjetër më parë. Të gjitha këto shtete mund t’i përmbushnin lehtë kriteret. Por ato nuk duan. Ajo që kanë ata të përbashkët është: që të gjitha këto vende kanë mirëqenie dhe orientohen nga konkurrenca.
Frika prej thesit të shpuar
Si rrjedhojë konkluzioni është tmerrues: BE-ja me sa duket është joshës vetëm për të skamurit dhe refuzuesit e reformave. Kush është i zoti ta përballojë, ose qëndron jashtë BE-së, ose të paktën ruan monedhën e vet kombëtare duke mos iu dashur të marrë pjesë me pagesa në një thes të shpuar. Të paktën kjo është përshtypja e krijuar. BE-ja do ta kish pritur krahëhapur Islandën. E pikërisht këtu e shohin kleçkën shumë islandezë. Sepse Islanda do të ishte në radhë të parë e mirëseardhur si një mjeshtre pagesash. Por kush është ai që lejon ta shfrytëzojnë? Tërheqja e islandezëve nuk do të mbetet pa efekt edhe ndaj Britanisë së Madhe. Atje euroskeptikët e ndiejnë tani veten të përforcuar në mendimin e tyre, se për vendin e tyre është më mirë të jetë jashtë BE-së, por brenda Zonës Ekonomike Evropiane – ashtu si Norvegjia, Zvicra e po ashtu edhe Islanda.
Sikur të kishte më shumë si Irlanda…
Tërheqja islandeze duhet të shërbejë si një alarm zgjimi. Vendet e dobëta në konkurrencë në Jug – e këtu për fat të keq bëjnë pjesë edhe Italia e – pavarësisht pozicionit qendror gjeografik edhe Franca – duhet të përpiqen më shumë. Në të kundërtën dikur do të ndodhë një çarje mes Veriut dhe Jugut. Që solidariteti nuk duhet të jetë i pakufizuar këtë e tregon më së miri shembulli i Irlandës. Ngjashëm si Islanda edhe Irlanda u godit rëndë kryesisht prej bankave të saj të zhytyra në borxhe. Prej ndihmave të BE-së dhe FMN-së dhe pas një programi radikal kursimesh dhe reformash sot Irlanda është mirë dhe shënon kuotat më të larta të rritjes ekonomike në të gjithë BE-në. E meqenëse ra fjala, vlen të theksohet, se atje askush nuk u ankua. Por thjeshtë irlandezët bënë atë që e konsideruan të domosdoshme. Nëse do të kishte më shumë si Irlanda, ndoshta atmosfera në Islandë sot do të ishte ndryshe./Deutsche Welle/