Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Elmi Reçica, bashkë me ish drejtorët e Spitalit Rajonal të Ferizajt, Mufail Hasani, Skender Shabani, Bejtush Jaha, Sylejman Metushi dhe Jeton Zeqiri, në hapësirat e objektit të ri në ndërtim të Spitalit të Ri Rajonal të Ferizajt, mbajtën pasditen e sotme, një konferencë për media.
Në këtë konferencë, ata folën për bllokimin e ndërtimit të spitalit të Ferizajt, mos angazhimin e Qeverisë dhe nevojën e madhe që kanë qytetarët e Ferizajt për këtë spital. Deputeti Reçica u bëri thirrje Qeverisë, Ministrit të Shëndetësisë, Ministrit të Financave dhe të gjithë deputetëve që vijnë nga rajoni i Ferizajt që të angazhohen maksimalisht që ky projekt të përfundojë sa më parë.
“Nga shtatë qytetet kryesore të Kosovës, vetëm Ferizaj nuk e ka një qendër spitalore të mirëfilltë, me kapacitetet e mjaftueshme. Këta doktorë këtu afër meje, u janë gjendur në kohën më të vështirë ushtarëve të UÇK-së dhe civilëve tanë. Me këta është themeluar Spitali i Ferizajt më 1999. Fatkeqësisht, projekti i menduar nga viti 2013 dhe i nisur nga viti 2017, Ka mbetur në gjysmë. Me planin dinamik, ky spital është dashur të përfundohet saktësisht një vit më parë, me 15 qershor 2021.”, ka thënë Reçica.
Ferizajt, së bashku me komunat përreth, u ofron shërbime shëndetësore afër 300 mijë banorëve. Pikërisht për këtë arsye, nevoja për të rritur kapacitetet spitalore është emergjente sepse ndërtesa aktuale e Spitalit Regjional nuk u plotëson nevojat e qytetarëve.
“Nevoja për ndërtimin e një objekti moderne që i plotëson kushtet dhe kërkesat e këtyre banorëve, është shumë e madhe. Vendimet e paarsyeshme që janë marrë ndërkohë, kanë shkaktuar një pasojë të rëndë për shëndetin e qytetarëve tanë. Ka 1 vit e gjysmë që është bllokuar ndërtimi i Spitalit të Ferizajt. Sot, me pa arsye tërësisht të paqena, pushteti po vazhdon ta bllokoj ndërtimin e spitalit të Ferizajt. Ferizaj, si tatimpaguesi i dytë në Kosovë, si qendra e tretë në Kosovë për nga banorët, është i bllokuar jo vetëm për ndërtimin e spitalit të Ferizajt, por edhe në projekte të tjera. Prandaj, përpjekjet tona për finalizimin e këtij projekti do të jenë të pandalshme, me të gjitha format demokratike të pranueshme.”, ka thënë deputeti Reçica.
Reçica u ka bërë thirrje Qeverisë, Ministrit të Shëndetësisë, Ministrit të Financave, që edhe përmes rishikimit të buxhetit të marrin masa dhe ta përfundojnë këtë projekt.
Ndërkaq, Skender Shabani ka thënë se Ferizaj ka resurset profesionale dhe gatishmërinë për të punuar, por vetëm projekti u mungon.
“Vullneti i Qeverisë për ta përfunduar këtë projekt mungon. Asnjëherë nuk kam besuar që Ferizaj do të mbetet pa objekt modern, ashtu siç e meriton dhe për çfarë qytetarët tanë kanë nevojë. Zgjerimi i shërbimeve shëndetësore dhe kapaciteteve spitalore është e domosdoshme për Ferizajn. Ne kërkojmë që Qeveria të reflektoj dhe në rishikimin e buxhetit të marrë hapat e nevojshëm që ky projekt të përfundohet.”, ka thënë Shabani.
Sylejman Metushi ka thënë se qytetarët e Ferizajt meritojnë një objekt modern, ku do të mund të marrin shërbime mjekësore të dinjitetshme.
“Qytetarët kanë nevojë për shërbime shëndetësore të dinjitetshme, ashtu siç profesionistët shëndetësorë kanë nevojë për kushte moderne të punës. E kemi parë më së miri nevojën e ndërtimit të një spitali me kapacitete më të mëdha gjatë periudhës së Covidit. Prandaj, ky projekt duhet të përfundojë sa më parë dhe të mos zvarritet më.”, ka thënë Metushi.