“Lidhja Demokratike e Kosovës, sot, në prani të strukturave, aktivistëve dhe qytetarëve të shumtë, mbajti tubimin e parë rajonal në Lipjan, ku fjalën kryesore e mbajti kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në fjalën hyrëse të tij theksoi se LDK po zbret te qytetarët e saj për të diskutuar e komunikuar me ta e për të prezantuar idetë politike, praktike e profesionale, ide të cilat do t’i ndërtojnë bashkërisht me ta për t’iu shërbyer atyre.
“Lidhja Demokratike e Kosovës, ka nisur hartimin e programit të vet politik. Në vend të plasimit të një programi të shkruar, ne kemi vendosur të plasojmë një platformë diskutuese – sikurse kjo e sotmja – fillimisht për të biseduar e dëgjuar, e më pas dhe për të ardhur me alternativa konkrete, të matshme dhe të sakta, që i japin problemeve tua e tona zgjidhje afatgjate”, tha kryetari Abdixhiku.
Po ashtu kryetari Abdixhiku ka folur edhe për krizën aktuale politike duke theksuar që Kosova sot udhëhiqet nga mosbesues të saj si dhe është peng e popullizmit dhe arrogancës. Abdixhiku ka thënë se Kosova sot ka një pushtet që nuk i njeh krizat dhe nuk kërkon e as nuk ka zgjidhje për këto kriza.
“Në mungesë të veprimeve e projekteve konkrete, popullistët kanë zgjedhur të ndërtojnë një Kosovë fiktive. Në këtë Kosovë fiktive të tyre, nuk zë vend rritja e paligjshme e çmimeve të energjisë elektrike e as rrëzimi i këtij vendimi nga gjykatat tona. Nuk zë vend as rritja e alarmante e çmimeve të miellit, bukës, vajit, naftës e secilit produkt tjetër bazik e as refuzimi i shtetit për të zbritur ngarkesat tatimore në produkte si këto.Nuk zënë vend as konkurset e punësimeve nepotike e familjare; paralizimi i jetës institucionale; tallja me mësues, mjekë e shërbyes publik, e tallja me punëtorë të sektorit privat. Nuk zë vend as bllokada e komunave tona nga pushteti që u refuzua nga qytetarët tanë për të qeverisur në nivel lokal.Krizat e Kosovës po shtohen e shtresohen, dhe në fund të tyre nuk ka një përgjigje të denjë”, ka thënë kryetari Abdixhiku.
Në fund z. Abdixhiku ftoj të gjithë qytetarët që të bashkohen rreth hartimit të Programit
“Lidhja për të ardhmen”, duke shtruar nevojën për një lidhje të tillë për të ecur bashkë përpara dhe t’i japin vendit qeverisje moderne, të guximshme dhe me vlera të djathta për ta përmbushur vizionin themeltar për një shtet të pavarur, sovran, të anëtarësuar në BE e NATO dhe me miqësi të përhershme me SHBA-të. Gjatë këtij tubimi Lidhja Demokratike e Kosovës ka pranuar edhe komentet dhe sugjerimet e qytetarëve të cilat do t’i inkorporojë në Programin Politik “Lidhja për të Ardhmen”.
Ky takim është në vazhdën e aktiviteteve të Konventës Programore e nisur më 29 prill me qëllim të debatit të brendshëm dhe të jashtëm rreth hartimit të këtij programi.


















