Kurti takohet me mërgimtarët dhe studentët në Zvicër

E publikuar: 26/05/2022 21:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të iniciativës së qeverisë për Dialog me Mërgatën, në dy takime të ndara ka takuar mërgimtarët dhe studentët shqiptarë që jetojnë e studiojnë në Zvicër.

Siç thuhet në një komunikatë për media, gjatë një bashkëbisedimi të hapur, Kurti fillimisht prezantoi punën, prioritetet dhe sfidat e deritanishme të qeverisjes.

Ai theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës e vlerëson mërgatën si faktor për zhvillimin e vendit dhe synon të rrisë angazhimin e profesionistëve të mërgatës në përpilimin e politikave zhvillimore dhe strategjike, në zbatimin e politikave, si dhe për investime të përbashkëta me ndërmarrjet vendore në Kosovë.

Kurti po ashtu iu përgjigj pyetjeve të të pranishmëve rreth strategjisë së re të qeverisë për mërgatën dhe angazhimit të tyre në qëllimet edhe nevojat e institucioneve të vendit, si dhe dëgjoi idetë dhe propozimet e tyre, thuhet tutje në komunikatë.

Studentët thane që do të dëshironin krijimin e një pike kontakti nëpërmjet së cilës ata do të ofronin vullnetarisht dijen e tyre. Ata kërkuan që t’u njihen kualifikimet e Zvicrës, t’u jepet mundësia që të punojnë dhe të bëjnë hulumtime shkencore në institucione. Po ashtu sugjeruan zgjerimin e mbështetjes financiare për start-up ndërmarrjet.

Duke i falënderuar për pritjen dhe interesimin e shprehur, kryeministri i ftoi mërgimtarët që të investojnë në Kosovë, për ndërmarrje fitimprurëse për ta dhe zhvillim edhe më të hovshëm socio-ekonomik për Republikën e Kosovës.