Vlera e prodhimit e Sistemit të Navigimit Satelitor “BeiDou” të Kinës shënon rekord të ri

E publikuar: 19/05/2022 15:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Vlera e prodhimit e Sistemit të Navigimit Satelitor “BeiDou” (BDS) të Kinës arriti një nivel të ri 469 miliardë juanë (69 miliardë dollarë) vjet, sipas një libri të bardhë të publikuar të mërkurën.

Në dokumentin e hartuar nga Shoqata e Sistemit të Navigimit Satelitor Global (GNSS) dhe e Shërbimit të Bazuar në Vendndodhje (LBS) e Kinës, thuhet që Kina në thelb ka formuar sistemin e vet industrial “BeiDou”.

Kina vijoi të jetë burimi kryesor i aplikimeve ndërkombëtare për patenta të navigimit satelitor vitin e kaluar, me gjithsej 98 000 të tilla, thuhet në librin e bardhë.

Rritja e shpejtë erdhi pasi sistemi BDS-3 filloi shërbimin e tij të funksionimit dhe hapjes për përdoruesit globalë më 31 korrik 2020, gjë që ka nxitur më tej kërkesën dhe investimet në zbatimin e teknologjisë BDS.

Libri i bardhë vë në dukje gjithashtu se, me nxitjen nga ekonomia digjitale, “BeiDou” është integruar në ndërtimin e infrastrukturës së energjisë elektrike, bujqësisë dhe komunikimit me një ritëm më të shpejtë gjatë vitit të kaluar.

Deri në fund të vitit 2021, ishin instaluar mbi 380 000 terminale të pozicionimit, përcaktimit të kohës e komunikimit të mesazheve të shkurtra të “BeiDou”-t dhe më shumë se 7.9 milionë automjete ishin pajisur me BDS. Gati 8 000 terminale “BeiDou” të llojeve të ndryshme u aplikuan në sektorin hekurudhor dhe mbi 100 000 makina bujqësore ishin pajisur me sistemin vetëdrejtues “BeiDou” për të monitoruar korrjen e drithërave kryesore si orizi, gruri dhe misri, dhe funksionimin e traktorëve gjatë tërë kohës.

Në vitet e ardhshme Kina do të zhvillojë më tej platformat e shërbimit publik për kërkimin dhe zhvillimin, testimin, certifikimin dhe licensimin e aplikimit të BDS-së, për të optimizuar sistemin global të shërbimit BDS. Kina po ashtu do të zhvillojë më tej mesazhet e shkurtra dhe shërbime të tjera të BDS-së për të krijuar një platformë globale të shërbimit publik urgjent për kërkimin dhe shpëtimin në raste emergjencash, si dhe alarmin emergjent, duke ofruar shërbime të qëndrueshme për të gjithë përdoruesit brenda dhe jashtë vendit.