Ambasadori Ajeti takohet me kryetaren e Bundestagut, e informon për aspiratat evropiane të Kosovës

E publikuar: 13/05/2022 16:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, këtë të premte ka takuar kryetaren e Bundestagut, Barbel Bas.

Ajeti ka bërë të ditur se Bas-in e njoftoi për aspiratat evropiane të Kosovës, njofton Klankosova.tv.

“Sot, së bashku me bashkëpunëtoren time Valëza Oruqi, kishim kënaqësinë dhe nderin të zhvillonim një takim jashtëzakonisht të frytshëm me Kryetaren e Bundestagut gjerman, Bärbel Bas. Gjatë bisedës diskutuam mbi punën që po bëjnë institucionet e Republikës së Kosovës, si në aspektin e brendshëm ashtu dhe në sferën e politikës së jashtme dhe të perspektivës euroatlantike”.

“Gjithashtu, shkëmbyem vështrime dhe opinione mbi situatën politike dhe atë sigurisë në rajonin tonë, ndaj agresionit në Ukrainë dhe mbi sfidat me të cilat po përballet siguria evropiane. Informuam Kryetaren Bas për procesin e liberalizimit të vizave, aplikimin e djeshëm të Kosovës në Këshill të Evropës dhe synimin tonë për t‘u bërë pjesë e NATO-s dhe BE-së”.

Ambasadori Ajeti, mes tjerash, tha se vlerëson marrëdhëniet tradicionale Kosovë-Gjermani.

“Ne vlerësojmë marrëdhëniet tradicionale dhe historike ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, me të cilin shtet mik ndajmë të njëjtat vlera”, ka shkruar ai në Facebook.