Gjejndet fosili i një zvarraniku të ri detar që daton 244 milion vite më parë

E publikuar: 13/05/2022 15:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shkencëtarët kinezë kanë zbuluar një fosil të një specie të re zvarranikësh detarë të njohur si “pachypleurosaur”, që daton 244 milionë vjet më parë, me bishtin më të gjatë të parë ndonjëherë për llojin e tij, duke treguar se mund të ketë qenë një notar i jashtëzakonshëm, bën të ditur “Xinhua”.

“Pachypleurosaur” ishin një grup zvarranikësh detarë të përmasave të vogla dhe të mesme, të ngjashme me hardhucat nga periudha e hershme deri në atë të mesme të Triasikut dhe specia e re është quajtur “Honghesaurus”, sipas vendndodhjes së zbulimit, Prefektura Autonome Honghe Hani dhe Yi.

Me 25.4 cm, bishti përbënte më shumë se gjysmën e gjatësisë së krijesës, e vlerësuar në 47.1 cm. Shkencëtarët zbuluan se kishte gjithsej 121 rruaza, duke përfshirë 69 rruaza bishtore, duke thyer rekordin e mëparshëm prej 58 rruaza bishtore në pachypleurosaur-ët e tjerë.

Studiuesit nga Instituti i Paleontologjisë dhe Paleoantropologjisë së Vertebrorëve nën Akademinë Kineze të Shkencave e gjetën fosilin në provincën Yunnan të Kinës jugperëndimore vitin e kaluar.

“Ajo kishte formë si një hardhucë ujore me një trung të gjatë, por bishti i saj ishte shumë më i gjatë se pjesët e tjera të trupit”, -tha studiuesi kryesor Xu Guanghui.

Shumica e pachypleurosaur-ëve ishin të vegjël me një gjatësi maksimale që rrallë i kalonte 50 cm. Trungu i gjatë i lidhur me një bisht tepër të gjatë mund t’u sigurojë zvarranikëve avantazhin e manovrimit dhe efikasitetit të energjisë për notin, vuri në dukje Xu në studimin, i cili u botua në revistën “Scientific Reports” javën e kaluar.

Përveç sigurimit të njohurive të reja në përshtatjen ekologjike të këtij grupi zvarranikësh, zbulimi është gjithashtu dëshmia më e vjetër fosile e specieve të zvarranikëve detarë pachypleurosaurid në Kinë.