Pas vizitës së Ramës në Hagë, Krasniqi: Treguat që kujdeseni për Kosovën

E publikuar: 10/05/2022 20:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi e ka falënderuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama për vizitën e tij në Hagë, ku për më shumë se një vit mbahet si i akuzuar për krime lufte, ish-Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.

Krasniqi ka thënë se kjo vizitë tregon kujdesin e Ramës për Kosovën dhe rikujton vlerat e përtejkufijshme mes dy vendeve.

“Faleminderit nga zemra Kryeministrit Edi Rama për kujdesin vëllazëror që po tregon ndaj Kosovës. Sot, me vizitën e tij në Hagë, te Presidenti Hashim Thaçi, ai u kujdes për Kosovën dhe na rikujtoi se vlerat tona solidare janë të përtejkufijshme – siç ishin edhe në ditët më të vështira kur populli shqiptar i Kosovës po luftonte për lirinë e tij”, ka shkruar Kryetari Krasniqi në Facebook./InfoSot/