Kurti për takimin me Vuçiqin: Ishte darkë pune, s’jemi kundër dialogut por kërkojmë trajtim të barabartë

E publikuar: 05/05/2022 18:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se takimi i mbrëmshëm në Berlin me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, ka qenë darkë pune dhe është biseduar për takimin e 13 majit ndërmjet dy kryenegociatorëve, raporton Ekonomia Online.

Kurti ka thënë se shpreson që në këtë takim, të arrihet marrëveshje sa i përket targave.Ai ka theksuar se në parim nuk janë kundër dialogut por që kërkojnë që palët e përfshira në të të trajtohen të barabartë.“E kam përfaqësuar vullnetin e popullit dhe gjithnjë duke e pasur dysheme dhe tavan kushtetutshmërinë dhe ligjin e Kosovës.

Me shumë përgjegjësi e kemi theksuar për shumë vite se nuk jemi në parim kundër dialogut dhe njëra nga parimet është barazia e palëve dhe në atë darkë është bërë barazia e palëve. Më 13 maj shpresojmë që të kemi zgjidhje sa i përket marrëveshjes së targave dhe po ashtu edhe të nevojës për të punuar në zbardhjen e çështjes për zbardhjen e të zhdukurve me dhunë”, ka thënë Kurti.

“Ky dialog duhet të rezultojë me marrëveshje, por kjo marrëveshje duhet të ketë në qendër njohjen reciproke, do të ketë edhe elemente tjera, por të cilat nuk mund të kenë kuptimin pa këtë qendër që është njohja reciproke”, tha Kurti në konferncën e përbashkët me Ministren e Mbrojtjes së Gjermanisë.

“Kosova nuk mund të kthehet para vitit 1999 kur është çliruar, as para vitit 2008 kur ka shpallur pavarësinë, as para vitit 2010 kur është dhënë opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë , kur e vlerësoi pavarësinë legjitime, as para vitit 2012 kur ka përfunduar mbikëqyrja e pavarësisë”.

“Ne duhet të ecim përpara, e për të ecur përpara, Presidenti i Serbisë duhet të distancohet edhe nga Millosheviqi edhe nga Putini. Kërkesa për kompromise, kur thotë se asnjëherë nuk do ta njohë Kosovën, teksa nuk distancohet nga Millosheviqi e Putini, nuk është kërkesë për zgjidhje”.